FOTOGALERI/ “Ti zgjedh” në Elbasan, rivitalizimi i strukturave të PS-së

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Partia Socialiste mblodhi sot aktivin nën moton “Ti Zgjedh”, një takim përgatitor për zgjedhjen e delegatëve të Kongresit më 16 nëntor. Në takim, foli kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, zyrtarë socialistë si dhe përshëndeti kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja duke marrë fjalën në aktivitetin e Partisë Socialiste “Ti zgjedh” në këtë qytet, theksoi se ky takim është me gjasa ndër më të mëdhenjtë e organizuar në qytet nga kjo parti me pjesëmarrjen e rreth 4-5 mijë personave.

Llatja tha se në sallë më shumë se gjysma janë gra, ndërkohë që ka edhe shumë të rinj, çka dëshmon rivitalizimin e Partisë Socialiste.

“Jemi këtu për t’i dhënë forcë ridimensionimit të Partisë Socialiste, qeverisjes në pushtet lokal e qendror, rivitalizim strukturave me energji të reja.Gjithë qarku përgatet për zgjedhjet në 16 nëntor për delegatët e kongresit”, tha Llatja.

Ai e vijoi fjalën e tij me një pasqyrë të punëve të kryera dhe projekteve të 100 ditëve të para si kryebashkiak.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha në fjalën e tij se çdo proces demokratik i brendshëm i Partisë Socialiste, sikurse janë zgjedhjet një anëtar një votë të delegatëve të Kongresit, të riformatimit të Kongresit që do të pasojë, ka qenë gjithmonë një ngjarje e rëndësishme në këto 28 vite të demokracisë së re shqiptare.

“Ne jemi mbledhur sot këtu në Elbasan për të prezantuar listën e kandidatëve delegatë e delegate në Kongresin e ardhshëm të partisë, prej ku këtë fillimviti që vjen do të zgjedhim edhe organet e reja drejtuese të partisë”, – tha ai.

Por para se të shkojmë aty, më 16 nëntor dhjetë ditë nga sot, Balla i kërkoi 100 mijë anëtarëve të Partisë Socialiste të marrin pjesë në procesin e rëndësishëm të përzgjedhjes së delegatëve ku do të aplikohen për herë të parë katër format e votimit.

“Votimi tradicional, në më shumë se 362 qendra votimi në Shqipëri si dhe të tjera për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Itali apo Greqi aty ku dhe organizatat e Partisë Socialiste funksionojnë. Votimi elektronik për një  pjesë të caktuar të anëtarësisë së PS në Tiranë, votimi online për një pjesë tjetër të vetëdeklaruar të PS-së dhe padyshim votimi me postë për ata që  janë jashtë vendit”, – u shpreh Balla, ndërsa theksoi se janë këto katër risitë në zgjedhjen e delegatëve.

“Ne kemi nevojë për rigjenerim të PS-së, dhe një hapje më të madhe ndaj shoqërisë civile. Ne duam që jo vetëm të rinovojmë mandatin e tretë qeverisës. Ne kemi sot të gjitha bashkitë në qarkun e Elbasanit. PS qeveris sot në 60 bashki të vendit, ne jemi pjesë e të majtës europiane, kemi ruajtur natyrën reformiste të Partisë Socialiste. Partia Socialiste është partia e vetme moderne në vend”, – tha Balla.

“Nuk duhet të harrojmë se partia në territor është më e fuqishme me njerëzit e thjeshtë. Nuk duhet të harrojmë se Shqipëria sot është kandidate për të hapur negociatat me BE. Mos të harrojmë se Shqipëria ka bërë të gjitha detyrat që i takojnë, por BE-ja duhet të mbajë fjalën për të hapur negociatat. Misioni historik është që PS të qeveriset nga Edi Rama”, – deklaroi ai.

Balla theksoi se Partia Socialiste do të bëjë të mundur që të zgjedhurit e saj në qeverisje ose në nivel lokal të jenë 50 për qind burra e 50 për qind gra.

“PS sot ka bërë shumë për barazi gjinore, teksa ne kemi shumë ministre në qeveri. Partia Socialiste sot është partia më e madhe në vend, duke pasur mbështetje edhe nga gratë. Ne në çdo organizatë kemi zgjedhur një burrë e një grua, për ta çuar barazinë gjinore në PS 50 për qind burra e 50 për qind gra”, – tha Balla. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.