Braçe: Berisha nxit kërcënime ndaj jetës sime dhe kryebashkiakut të Divjakës, do përgjigjet në gjykatë

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/- Erjon Braçe ka reaguar sot pas akuzës së Sali Berishës se është i përfshirë në atentatin e së premtes në Shkozet ndaj prokurorit Arjan Ndoja, duke u shprehur se akuza “është sajuar nga Sali Berisha si kërcënim i drejtpërdrejtë për jetën ndaj meje e kryetarit të bashkisë Divjakë”.

“Ky është Sali Berisha dhe ky është kërcënim për jetën ndaj dy funksionarëve të lartë publikë, të dy të zgjedhur e në detyrë. Që Sali Berisha është një kriminel barbar, këtë pas 21 Janarit, daljes zot të pushkatimeve në mes të bulevardit, e thotë i madh e i vogël në këtë vend. Por, përveç pushkatimeve direkte, si në 21 Janar 2011, ky kriminel barbar, ka nxitur përmes gjuhës së tij kriminale, kërcënime për jetën, akte dhune të drejtpërdrejta deri në rrezikim të jetës, ndaj kundërshtarëve të tij politikë duke i përfshirë kriminalisht në ngjarje që nuk ekzistojnë”, shprehet Braçe.

Ky i sotmi, vijon ai, është një i tillë. “Provohet botërisht që kjo ngjarje që ka sajuar e publikuar, nuk ekziston. Po fare, fare. As nga unë, as nga kryetari i bashkisë Divjakë, zero”, tha ai.

“Vërtetohet lehtësisht; Për shkak të detyrës, çdo lëvizje e imja është nën prezencë të oficerëve të shtetit – jo të mitë por të shtetit; Çdo takim i imi me kryetarin e bashkisë dhe jo vetëm, është në prezencë të tyre, pra, për shkak të detyrës, çdo gjë është e lajmëruar në sallat operative përkatëse nga Garda e Republikës në komisariatet e policisë në territor”, tha zv.kryeministri Braçe.

“Pra, takimi i kryetarit të bashkisë Divjakë me atë person dhe i imi me atë dhe kryetarin,
as që ekziston. Fare! Është sajuar nga Sali Berisha si kërcënim i drejtpërdrejtë për jetën ndaj meje e kryetarit të bashkisë Divjakë. Mendja kriminale e Sali Berishës kërkon të drejtojë e pse jo të shkrehë pushkë kriminelësh ndaj nesh! Ti Sali Berisha po kërkon jetën tonë. Do përgjigjesh për këtë ligjërisht deri në fund. Çdo ditë nga sot, çdo orë nga dita e sotme e në vijim, unë do merrem me këtë, ty dhe ligjin. Boll më. Ke 25 vite që si kriminel ordiner bën këtë ndaj meje e çdo kundërshtari politik, si kur ke pushtet, si kur je në opozitë”, tha ai.

“Nuk dua nga paratë e tua të ndyra, do kërkoj ligjërisht burg për ty, aq sa ligji thotë për këtë krim penal që ke konsumuar sot ndaj ne të dyve. Kjo e para. E dyta, kurrë, kurrë nuk kam bërë këtë që ti ke konsumuar sot ndaj nesh. Kurrë nuk kam shenjuar jetën e kujt për ta marrë, si politikan, si qeveritar apo si qytetar i thjeshtë”, u shpreh Braçe.

“Nuk jam soji yt, as si shpifës, as si kriminel. Si qytetar e si pushtetar në raport me ligjin, jetën e dinjitetin e çdokujt, ti as që afrohesh tek unë”, tha ai.

“E treta, Fredi Kokoneshi as që njeh prokurorin, as si emër, as si person, as si prokuror, as si aktivitet, as që e njeh personin e përmendur në cilëndo rrethanë. Unë gjithashtu, as si emër e as si person kërrkund e në 48 vite jetë. Unë, po, kam folur për qëndrimin e  prokurorit ndaj një zyrtari të shtetit, antiligjor e antikushtetues në hetimin e një çështjeje,
konfirmuar e tillë, siç e kam thënë, nga një gjykatë më e lartë, i paligjshëm e antikushtetues. Kaq më mjaftoi e më mjafton”, tha Braçe.

“Akti ndaj tij është kriminal. Unë, cilido pranë meje si i afërm apo mik e shok e janë aq shumë sa s’ta merr mendja, nuk kam lidhje me atë akt kriminal. Ti si kriminel barbar,
pa asnjë provë, asnjë fakt, në mënyrë kriminale dhe të qëllimtë pa asnjë referencë vendi e kohe, zero, kërkon të nxitësh një tjetër akt kriminal. Për këtë do përgjigjesh. Nuk të fal asnjë germë dhe po ta përsëris, nuk dua paratë e tua të ndyra, dua burgun për ty për këtë krim të konsumuar”, tha ai.

“E fundit, për pluhurin që përmend për mua, sërish do përballesh me ligjin, për çdo germë të fjalës, një për një. Për cilësimin trafikant të kryetarit të bashkisë Divjakë, do përballesh me ligjin. Për shkak të shpifjeve të tua dhe qelbësirave që kishe nën hyqëm, për një vit e më shumë prokuroria vuri nën hetim në të gjithë botën kryetarin e bashkisë, doli i pastër kudo, me çdo akt të çdo institucioni ndërkombëtar që u detyrua të kthejë përgjigje në Prokurorinë e Republikës”, tha Braçe.

“Letrat janë publike e të administruara në prokurori. Çdo germë edhe për këtë do kthehet në përballje ligjore dhe ti do përgjigjesh deri në fund, germë për germë”, përfundoi zv.kryeministri Braçe. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.