Aplikimet për leje mjedisore, nga 1 janari do bëhen online

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ – “Kam bërë një aplikim për një leje mjedisi. Ju drejtova Ministrisë dhe nuk gjeta përgjigje. Ju drejtova platformës dhe menjëherë mu zgjidh problemi”.

Kështu u shpreh Renato Isufi përfaqësues i një subjektit me seli në Shkodër që ushtron aktivitet mineral gëlqeror.

Ky subjekt kishte aplikuar për leje mjedisore të tipit B pranë QKB. Agjencia Kombëtare e Mjedisit e ka dhënë në formë automatike miratimin ndërkohë që leja mjedisore ishte bllokuar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit prej shumë kohësh duke shkaktuar problem në ushtrimin e aktivitetit për subjektin.

Pas ankimit në platformë, rasti u ndoq nga koordinatori i biznesit në Ministrinë e Mjedisit ku në komunikim të vazhdueshëm me kabinetin dhe vetë ministrin u arrit zyrtarizimi i miratimit të lejes mjedisore.

Kryeministri Rama, pas ankesës së qytetarit të zgjidhur nga platforma tha se, “që nga 1 janari aplikimet nuk do bëhen më dorazi por do bëhen online dhe kështu do jenë të gjitha në pasqyrë, pra nuk do jenë hallet e njerëzve letra në siratarët e një drejtori apo përgjegjësi që marrin peng njerëzit për të marrë atë copën e tyre të kaçkavallit. Do jenë online aplikimet. Sigurisht që hap pas hapi ne do vazhdojmë të investojmë që edhe përgjigjet përfundimisht të jenë online por kjo kërkon ngritjen e një sistemi tërësor”.

“Ne e kemi filluar modernizmin e sistemeve për të kaluar tek shërbimet pa kontakt njerëzor, pra pa xhepa, me 3 shërbime online. Sot janë afro 350 shërbime dhe përveç kësaj, kemi sot edhe nënshkrimin dixhital të secilit që mund ta bëjë që vlen njësoj si nënshkrimi në letër. Kështu që ju e kaluat atë kalvarin tuaj por në të ardhmen e afërt, të gjithë ata që do kenë nevoje për të njëjtin shërbim, nuk do kalojnë më në këtë kalvar”, – i the Kryeministri qytetarit.

“Sistemi i monitorimit të aplikimeve do jetë një sistem që do e bëjë të pamundur marrjen peng të njerëzve duke i fshehur letrat në sirtar”, – tha Rama në mbyllje duke shtuar gjithashtu se, “numri i zgjidhjeve është goxha i konsiderueshëm por mbi të gjitha jam shumë mirënjohës që ju morët mundimin të dëshmonit. Dëshmitë janë kyçe për të kaluar mesazhin tek njerëzit”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.