Reforma Zgjedhore/ Hyseni: Prioritet mbeten rekomandimet e OSBE/ODIHR-it

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Deputeti socialist Alket Hyseni i ftuar në një studio televizive foli për punimet e komisionit të Reformës Zgjedhore. Hyseni, anëtar i këtij komisioni tha se çdo qytetar i Shqipërisë është i interesuar për këtë proces.

“Jemi në fazën që ne kemi deklaruar që këto rregulla loje ne nuk mund t’i bëjmë të vetëm në kuptimin as ne si mazhorancë, as me votat e gjithë parlamentit, duke qenë se në lojë janë aktorë të tjerë që nuk janë në parlament, duke qenë se janë të interesuar në gjykimin tonë, çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë është i interesuar për këtë proces që ndikon tek vota”, tha Hyseni.

Sipas deputetit, prioritet mbeten rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. “Edhe sot diskutimi ka qenë mbi një draft që është produkt i ekspertizës së OSBE/ODIHR. Ne e kemi shtrirë dorën ndaj opozitës jashtëparlamentare që të marrë pjesë në këtë komision, opozita ka zgjedhur që të shqyrtojë draftin, të ndërtojë draftet e veta e t’i nisi ato me interlekutorë të tjerë. E rëndësishme për ne është që të marrin pjesë të gjithë ata që kanë dëshirë të marrin pjesë. Jam i bindur që opozita do ta gjejë kurajën politike për t’u bërë pjesë e këtij procesi”, tha ai.

Duke folur për këto rekomandime, Hyseni tha se Shqipëria nuk ka kohë të presë. “Kushdo është i mirëpritur t’i bashkëngjitet këtij procesi. Këto drafte që po diskutojmë sot, mos të harrojmë që ishin drafte të dakordësuara me ta kur ishin pjesë e komisionit. Ndërkohë që puna për adresimin e rekomandimeve nga ekspertë të përbashkët ka nisur shumë më herët. Rekomandimet janë që në 2013, në 2017, në 2019 janë disa të tjera. Të gjitha së bashku po punohen. Rruga procedurale konkludon në parlament. Kjo do të bëhet me votë”, theksoi Hyseni.

“Ne nuk na shqetëson asnjë formulim, asnjë sistem i caktuar i cili është brenda kornizës së rekomanduar të OSBE/ODIHR. Ne kemi thënë që pranojmë çdo draft të shkruar e të miratuar nëpërmjet OSBE. Për ne të rëndësishme janë t’i adresojmë problemet. Shqetësimi ynë bazë është të përmbushim standardet sipas rekomandimeve”, – u shpreh deputeti i mazhorancës në parlament. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.