Njohja e pensioneve të shtetasve shqiptarë, nisin negociatat me Bullgarinë

Tiranë, 5 Nëntor/ATSH/- Ministria e Financave dhe Ekonomisë nis negociatat me autoritetet homologe bullgare për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të shtetasve shqiptarë që punojnë e jetojnë në Bullgari dhe anasjelltas, të cilët do të përfitojnë nga marrëveshja që do të lidhet mes dy vendeve.

Zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen dhe drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado janë duke zhvilluar në Sofje të Bullgarisë takimet e radhës me përfaqësuesit e institucioneve përkatëse. Pjesë e diskutimeve mes të dyja palëve është edhe fusha e mbrojtjes sociale.

Vetëm pak kohë më parë Kuvendi ratifikoi marrëveshjen për njohjen e ndërsjelltë të pensioneve me Kanadanë, nga e cila përfitojnë rreth 70 mijë shtetas shqiptarë.

Deri tani janë nënshkruar 12 marrëveshje, që u japin mundësi emigrantëve, të cilët kanë ndarë vitet e punës mes Shqipërisë dhe një vendi tjetër të mos humbasin kontributet e derdhura.

/a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.