Iniciativa “Sill një libër merr një tjetër”, hapet në Prishtinë minibiblioteka e parë

PRISHTINË, 5 nëntor/ATSH/ Me moton “Sill një libër merr një tjetër”, sot u hap minibiblioteka e parë në Parkun e vjetër në lagjen “Dardania” të Prishtinës, e cila u mundësua nga ETEA, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, libraria “Dukagjini” dhe Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ).

Minibiblioteka do të jetë e hapur 24 orë në 7 ditët e javës. Për të do të kujdesen vetë banorët e lagjes dhe do të ketë mbi 100 libra në dispozicion të banorëve të lagjes dhe të të gjithë të interesuarve për shkëmbim apo huazim të librave përgjatë qëndrimit në lagje.

Drejtori i organizatës ETEA, Agon Ahmeti tha se ETEA është iniciatore e projektit për minibiblioteka në lagjet e komunës së Prishtinës dhe shpreson që edhe lagjet e tjera së shpejti të bëhen me minibiblioteka të tilla.

Përfaqësuesi i Forumit për Iniciativa Qytetare, Oltion Beqiri, tha se me hapjen e kësaj minibiblioteke, qytetarët do të kenë mundësi të kenë qasje dhe të pajisen me libra të ndryshëm. Ai shpreson që këto minibiblioteka pas shumë viteve do të shtrihen në tërë Kosovën.

Kryetarja e Kuvendit të të Rinjve, Kosovare Sadiku, u shpreh e lumtur për minibibliotekën e parë, ku qytetarët do të kenë mundësi të marrin libra falas, gjë e cila sipas saj, do të jetë një mundësi për të nxitur leximin.

Projektit në fjalë iu bashkuan edhe një numër i konsiderueshëm i banorëve të lagjeve përfituese të Prishtinës duke kontribuuar me libra dhe mjete financiare./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.