PRISHTINË, 5 nëntor/ATSH/ Gjykata Supreme ka marrë vendim në favor të Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin edhe të 1806 pakove me fletëvotime nga diaspora.
Lajmin e ka bërë të ditur anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Nazlie Bala.
“Sapo na erdhi lajmi i mirë: Gjykata Supreme e miratoi ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për të numëruar edhe 1806 pakot e fundit me fletëvotime nga diaspora”, shprehet Bala.
Ditë më parë, KQZ-ja nuk kishte proceduar për votim në Qendrën për Numërim të Rezultateve 1806 pako me fletëvotime, teksa LVV fillimisht ishte ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili e kishte vlerësuar ankesën si të pabazuar. Për këtë arsye, LVV dorëzoi dje ankesë tjetër në Gjykatën Supreme. /KosovaPress/