3-vjetori i lumturimit të 38 martirëve të Kishës, vazhdon zbardhja e dosjeve të klerikëve

TIRANË, 5 nëntor /ATSH – I. Vata/- Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në 3-vjetorin e lumturimit të 38 martirëve të Kishës, të dënuar, pushkatuar dhe të cilët vdiqën nën tortura gjatë diktaturës komuniste, njoftoi se vijon punën për zbardhjen e dokumenteve dhe materialeve mbi përndjekjen e klerit.

Deri tani, mbi bazë kërkese, janë identifikuar dokumente të natyrave të ndryshme mbi përndjekjen e klerit katolik në Shqipëri: dosje drejtimi mbi aktivitetin e klerit katolik, fashikuj në disa volume me relacione për zbulimin e veprimtarisë së ish-klerit katolik; dosje të klerikëve të përndjekur, si Dom Llazër Shantoja, Anton Harapi, Mark Harapi, Marie Tuci, Shtjefën Kurti, etj. 15 dosje janë hapur dhe vënë në dispozicion të studiuesve mbi bazë kërkese, shumë prej të cilave janë trajtuar në mënyrë të thelluar në konferencat shkencore të mbajtura nga Autoriteti dhe institucionet homologe, të cilat mund të lexohen në faqen zyrtare të AIDSSH.

Dosjet e mësipërme janë deklasifikuar dhe është e pritshme që në arkivat e Autoritetit të ketë më shumë materiale mbi martirët e dënuar e jo vetëm, të cilët do të deklasifikohen e hapen për të interesuarit, duke ndihmuar shkrimin e një narrative të plotë mbi të shkuarën, përtej asaj që për vite me radhë u propagandua me tone armiqësore.

Çfarë përmbajnë dosjet?

“Në dosjet e përndjekjes së klerit katolik, gjuha e përdorur ka të njëjtën frymë, nga fillimi në fund. Elementi “reaksionar”, (antikomunist), shënjestrohet me tri fjalë që përdoren dendur: zbulim, evidentim, goditje. Listat emërore të zgjeruara të klerikëve janë strukturuar sipas llojit të përndjekjes, vuajtjes së dënimit, apo ekzekutimit, po ashtu, është bërë një analizë e imët e të gjithë veprimtarisë “reaksionare”. Në mënyrë skematike, në dokumente janë paraqitur ndarjet organizative, me bazë juridike, administrative apo territoriale të klerit. Po ashtu, ka ilustrime të shumta me foto të jetës kishtare; statistika të rezultateve të punës operative mbi përndjekjen e klerit, sipas periudhave të ndryshme dhe të dhëna e masa operative kundrejt organizmave të ndryshëm fetarë”, sqaron AIDSSH.

Po ashtu, AIDSSH gjen rastin të ftojë studiuesit e të interesuarit të aplikojnë për njohje me përmbajtjen e këtyre dosjeve dhe mbështet zbardhjen e profileve të tyre të plota, duke përfshirë edhe trajtimin e materialeve që makineria e shtypjes prodhoi për ta. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.