Reforma Zgjedhore, Gjiknuri: Komisionerët nuk do të propozohen më nga partitë

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi se gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve, çdo qeveri në pushtet do të jetë “memece”.

I ftuar në një nga studiot televizive, Gjiknuri foli për ecurinë e Reformës Zgjedhore , ai theksoi se komisionerët nuk do të propozohen më nga partitë. Depolitizimin e administratës zgjedhore, ai e konsideroi revolucion pasi, sipas tij, vendi ynë ka vuajtur nga kontrollet e partive.

“Së pari presim depolitizimin e administratës zgjedhore. Për mua kjo do të ishte një revolucion pasi për herë të parë pas 30 vjetësh ne do të kemi mundësi të kemi një administratë zgjedhore jo të zgjedhur nga partitë por mekanizma të tillë që bëjnë të mundur që asnjë forcë që është në pushtet apo në opozitë të mos ketë kontrolle mbi administratën zgjedhore. Këto janë gjëra që shumë shpejt do të paraqiten në komision. Nuk dua të flas para kohe, natyrisht që emërimet do të bëhen sipas vendimmarrjes së hierarkisë por komisionerët nuk do të propozohen më nga partitë”, tha Gjiknuri.

Më tej, Gjiknuri u shpreh se “mbase ka ardhur momenti që ne kushtet e Shqipërisë, partitë të heqin dorë nga zgjedhjet. Do të thotë që t’ia lënë një administrate jo politike, profesioniste në mënyrë që të mos shfaqen ato skenat e përhershme që i kanë shoqëruar zgjedhjet shqiptare ku partitë ndërhyjnë në procese zgjedhore dhe kjo krijon tension”.

Ai tha ndër të tjera se “ka pasur raste vjedhje flagrante si në vitin 1996, që kanë qenë vjedhje e dhunshme shtetërore, ka pasur edhe raste të tjera kur shteti nuk është treguar i barabartë përsa i përket një gare që normalisht nuk i takon atij dhe kjo është e vërtetë. Dhe një arsyet e tjera që ka të bëjë me atë që quhet avantazhet apo ndërhyrja e pushtetit mbi zgjedhjet që janë avantazhe që vijnë në mënyrë të natyrshme sepse shteti gjithmonë e ka një avantazh apo partia në pushtet sa i përket avantazheve zgjedhore, ne kemi menduar të bëjmë një ndërhyrje tjetër që po diskutohet sot në Komisionin  e reformës Zgjedhor madje i është paraqitur publikut, tashmë e dinë të gjithë që 6 muaj para ditës së zgjedhjeve, qeveria praktikisht kthehet në qeveri memece. Praktikisht do të thotë që bën punën e vet, ekzekuton të gjitha detyrat”.

Sipas Gjiknurit, qëllimi i Reformës Zgjedhore është që administrata zgjedhore të mos i përkasë asnjërit, as mazhorancës dhe as opozitës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.