Lëvizja Vetëvendosje i drejtohet sërish Gjykatës Supreme për numërim

PRISHTINË, 4 nëntor/ATSH/ Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i është drejtuar sërish Gjykatës Supreme për mosprocedimin e 1806 fletëvotimeve nga diaspora për numërim, si dhe për refuzimin e ankesës nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit (sipas rezultateve paraprake), po kërkon që këto fletëvotime të njihen si të vlefshme, teksa Gjykata Supreme thotë se brenda 72 orëve pritet të marrë vendim për këtë çështje.

Anëtarja e LVV-së në KQZ, Nazlie Bala tha për KosovaPress se asnjë institucion nuk mundet që t’i mohojë të drejtën e votës së qytetarëve, ndërsa shprehu bindjen e saj se ky institucion gjyqësor do të marrë vendim të drejtë.

Në të kundërt, Bala thotë se do të zvarritet procesi zgjedhor, dhe nuk e mohon mundësinë që certifikimi i zgjedhjeve të shtyhet deri në  dhjetor.

“Vendimi të cilin Paneli Zgjedhor e solli, ishte në kundërshti dhe antikushtetues sa i përket njohjes së të drejtës së votës nga ana e qytetarit. […] Ata qytetarë të cilët i kanë dërguar 1806 pako fletëvotime kanë të drejta kushtetuese të tyre. Absolutisht, asnjë institucion, asnjë ligj nuk mundet t’ua mohojë të drejtën për të votuar. Vendimi i Gjykatës Supreme ka qenë vendim për njohjen e të drejtës së votimit. Prandaj çdo akt tjetër në kundërshtim me vendimin e  Gjykatës Supreme është shkelje flagrante e të drejtëve të njeriut”, – tha Bala për KosovaPress.

Ndërsa zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi shprehet se do të zbatojnë çdo vendim që sjell Gjykata Supreme, teksa nuk ka jep një datë konkrete se kur mund të përfundojë i gjithë procesi zgjedhor, pasi kjo varet nga mundësia e ankesave të tjera të partive politike dhe kandidatëve për deputetë.

“Nuk më takon mua që të flas me afatet kohore me ditën e saktë se kur mund të shpallim rezultatin përfundimtar. Pasi ne e dimë që aktualisht një subjekt politik këtë rast, Vetëvendosje ka ankimuar çështjen, pas PZAP-së në Gjykatën Supreme. Ne duhet të presim vendimin e këtij institucioni për të parë dhe proceduar pastaj në zbatim të atij vendimi, çfarëdo qoftë ai. Pastaj pasi të përmbyllim gjitha këto çështje, për të marrë ato konfirmime që thashë më herët dhe për të bërë shpalljen e rezultatit përfundimtar. Pastaj dihet edhe afatet tjera që kanë të bëjnë me ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve në PZAP, pastaj në Gjykatën Supreme, pastaj që të certifikojmë rezultatin e zgjedhjeve”, – tha Elezi.

Një ditë më parë Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e 1806 fletëvotimeve nga diaspora. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.