Investimet e huaja direkte rritje me gati 20%

Tiranë, 4 Nëntor/ATSH/- Investimet e huaja në vend në tremujorin e dytë të këtij viti u rritën me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi të hënën në seancën plenare të Kuvendit se shifrat e investimeve të huaja janë optimiste, bazuar në të dhënat e 6-mujorit të parë të këtij viti.

“Investimet e huaja direkte janë rritur me 10% në tremujorin e parë dhe me pothuajse 20% në tremujorin e dytë”, deklaroi Denaj.

Ndërsa kreditimi i sektorit privat të ekonomisë, vijoi ministrja është zgjeruar për tre tremujorë rresht të vitit, duke regjistruar një rritje prej mbi 7% kundrejt një viti më parë.

Deri në fund të vitit qeveria parashikon që në vlerë investimet e huaja direkte të arrijnë në mbi 1 miliard euro.

Prej disa vitesh, fluksi I investimeve të huaja në ekonominë shqiptare ka qenë në nivele relativisht të larta. Rekordi historik u shënua vitin e kaluar kur bizneset e huaja investuan 1 miliardë e 21 milionë euro në Shqipëri

Pjesa dërrmuese e investimeve nga jashtë u përqendrua në katër sektorë, që janë energjia, industria nxjerrëse, pasuritë e patundshme dhe sektori financiar.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.