FRANCË – Vdes Yvette Lundy, legjenda e Rezistencës

PARIS, 4 nëntor /ATSH-AFP/ – Yvette Lundy, figurë legjendare e Rezistencës Franceze ndaj okupatorit nazist, e deportuar në kampin e Ravensbruckut, vdiq në moshën 103-vjeçare në Epernay, njoftuan autoritetet lokale.

 

“Ende dhe sot, ka momente të ditës kur mendoj për kampin… Ndodh shpeshherë  mbrëmjeve, para se të fle”, theksoi në 2017 Lundy.

Më e vogla e një familjeje prej shtatë vëllezërish dhe motrash, Yvette Lundy ishte mësuese në Gionges, një fshat i njohur për prodhimin e shampanjës.

Ajo ishte pjesë e një rrjeti rezistence gjatë pushtimit të Francës nga Gjermania naziste që prodhonte dokumente të rreme për hebrenjtë ose për të burgosurit e luftës.

Më 19 qershor 1944, Gestapo kishte ardhur për ta arrestuar gjatë orës së mësimit.

Pas kalimit në një burg francez dhe më pas në kampin e Neue Bremm pranë Sarrebruck, në jugperëndim të Gjermanisë, ajo u deportua më në fund në Ravensbruck./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.