FOTO/100 artistë ndërkombëtarë në ekspozitën “Vetëpeizazh” në galerinë e Durrësit

TIRANË, 4 Nëntor/ATSH/- Rreth 100 artistë ndërkombëtarë kanë ekspozuar punimet e tyre në teknikën e akuarelit në ekspozitën “Vetëpeizazh”, të çelur fundjavën që lamë pas në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit.
Në ceremoninë e hapjes, ishin të pranishëm kryetarja e bashkisë, Valbona Sako dhe kuratori i kësaj ekspozite, artisti i njohur shqiptar Helidon Haliti, artdashës durrsakë etj.
Gjatë fjalës së saj, kryebashkiakja e Durrësit u shpreh e gëzuar që ndodhej midis artdashësve të qytetit dhe se ekspozita të tilla, organizime dhe aktivitetet ndërkombëtare do të shtohen gjatë muajve të ardhshme.
“Falënderoj artistin Helidon Haliti që i dha mundësinë artdashësve durrsakë që të shijojnë nga afër këtë ekspozitë dhe punët që vijnë nga artistë të njohur ndërkombëtarë. Jam gjithashtu e lumtur që në këtë hapje të ekspozitës shoh shumë artdashës të qytetit që e duan artin dhe kulturën. Bashkia e Durrësit do të vijojë të mbështesë artin dhe kulturën, si dhe të organizojë aktivitete të ndryshme ndërkombëtare për të cilën jemi duke punuar për një kalendar të detajuar për vitin 2020”, u shpreh Sako.
Kuratori i njohur, Helidon Haliti, falënderoi bashkinë e Durrësit për këtë bashkëpunim dhe insistimin e tyre që aktivitete ndërkombëtare të kenë stacion edhe Durrësin për artdashësit e qytetit bregdetar.
“Kjo ekspozitë përkon dhe me teknikën e akuraelit, pasi është më afër ujit, edhe një lloj ajri absolutisht të freskuar dhe padyshim flasim për një qytet me shumë histori. Ne kemi 3 vjet që e bëjmë Bienalen Ndërkombëtare të Akuarelit në Tiranë, edhe përgjatë viteve vinim dhe pikturonim edhe në Durrës. Ndërsa tani Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit vjen në Durrës dhe janë seleksionuar 100 veprat më të mirat nga 400 artistë që vijnë prej 60 shtete të botës”, tha gjatë fjalës së tij Haliti.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 10 ditë dhe është falas për të gjithë ata që do të duan ta vizitojnë.​/k.s/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.