Buxheti 2019/ Vëmendje familjeve të dëmtuara nga tërmeti, mbështetje funksionimit të institucioneve të vetting-ut

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar Socialist, Taulant Balla u shpreh në Kuvend, gjatë diskutimeve për Aktin Normativ të rishikimit të Buxhetit të vitit 2019, se për herë të parë një akt i tillë nuk prek shpenzimet e përgjithshme të buxhetit, nuk ndikon në borxhin publik si dhe në deficitin buxhetor.

“Rishikimi i buxhetit është një politikë konsolidimi e stabilitetit financiar dhe buxhetor të vendit. Në plot vende, edhe në ekonomi të zhvilluara qeveria vendos që në pjesën e dytë të vitit të rishikojë buxhetin me qëllim rialokimin e të ardhurave që marrin nga miradministrimi fiskal.

Padyshim që ky akt ka 3 veçori kryesore, për të cilat unë si kryetar i grupit të shumicës dua që të falënderoj qeverinë, sepse nuk ka ndryshime, nuk prek shpenzimet e përgjithshme të buxhetit dhe nuk prek as deficitin. Këto janë 3 indikatorë kryesore të gjithkujt që bën një analizë pa nuanca politike. Jemi në kushtet që niveli i deficitit buxhetor mbetet aq sa ish parashikuar në fillim të vitit: 1,3% e PBB. Krahasuar me të gjitha vendet e rajonit, deficiti sot është më stabël. Borxhi publik qëndron në kufijtë e parashikuar në fillim të vitit, 65,5% të PBB. Edhe bilanci primar fiskal, i cili vijon të jetë tregues pozitiv, madje me suficit, ku për herë të parë pas 20 vitesh ky tregues u kthye nga negativ në pozitiv”, – u shpreh Balla.

Nga ana tjetër ai tha se me Akt Normativ qeveria do të japë një mbështetje më të madhe për pushtetin vendor, i cili siç u shpreh Balla vjen falë miradministrimit të të ardhurave të vetë pushtetit vendor.

“Ne kemi sot një akt normativ që na lejon të japim mbështetje më të madhe për pushtetin vendor, sepse rrisim financimin me 4 miliardë lekë. Pas zgjedhjeve në gjithë territorin ka një miradministrim të të ardhurave në pushtetin vendor. Në 9-mujor, kemi rritje me 2.5 miliardë lekë, ose 15% krahasim me planin. Rritja e financimit për pushtetin vendor do sigurohet nga rritja e të ardhurave të veta me 3 miliardë lekë dhe rritja e financimeve të huaja me 1 miliard lekë. Arsyeja tjetër e rëndësisë që ka ky Akt lidhet me financimin e fondit rezervë të buxhetit që rritet me 450 mln lekë që do mundësojë financimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti 21 shtator. Kjo qeveri ka miradministruar si rrallë ndonjëherë një fatkeqësi natyrore ndër më të mëdhatë që kanë goditur vendin”, – u shpreh Balla në Kuvend.

Ai përmendi gjithashtu se me rishikimin e buxhetit do të sigurohet akomodimi i nevojave të institucioneve të reja të drejtësisë. “Vetingu, – tha ai, – është garancia që Shqipëria është në drejtimin e duhur për një sistem drejtësie të pavarur”. /a.sh./ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.