Bushati: Treguesit makroekonomik në nivelin e duhur për të vijuar me reformat

Normat e ulëta të interesit, impakt në ekonominë shqiptare 15-20 milionë euro në vit  

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/- Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, u shpreh se “treguesit makroekonomik janë në nivelin më të mirë, deficiti buxhetor është i ulët, borxhi kombëtar i ulët, rritja ekonomike pozitive, normat e interesit janë të ulëta dhe kreditë me probleme në rënie, janë këto kriteret që qeveria duhet të vazhdojë me reformat, që mbështesin zhvillimin ekonomik të vendit”.

Në fjalën e mbajtur të hënën në seancën plenare të Kuvendit, Bushati tha se, ndonëse klima politike në vend nuk ka favorizuar rritjen e treguesve makroekonomik, qeveria ka arritur të mbaj deficitin buxhetor në kontroll, uljen e borxhit publik brenda nivelit të parashikuar.

“Është shumë e rëndësishme të mos biem pre e presioneve politike dhe të ruajmë parametrat mokroekonomik që janë në nivele të mirë”- tha ai. Ndërsa vuri në dukje se, norma e ulët e parasë në treg, është favorizues si për shtetin dhe biznesin.

“Ka qenë vendimmarrja e qeverisë tonë e kësaj maxhorance që të dalim sa më shumë nga tregu i brendshëm, në mënyrë që të ulen normat e interesit, pra që të mos jete efekti kur shteti merr më shumë para nga tregu i brendshëm dhe bizneset nuk marrin më nga ky treg. Sot normat e interesit nga bankat, janë në pikën më të ulët dhe bankat kanë forcuar kriteret e kreditimit sipas standardeve ndërkombëtare dhe ky është një moment që ka ndikuar edhe në Shqipëri, që është reflektuar edhe në bizneset shqiptare, të cilët po përmirësojnë planet e biznesit për të përfituar nga normat e ulëta të interesit”- tha Bushati.

Duke u ndalur në klimën e biznesit në vend, ai theksoi se, aktualisht kemi një klimë favorizuese për biznesin e cila duhet të ishte reflektuar edhe në tregjet e brendshme financiare ekonomike, por siç tha Bushati, “ka disa faktorë që kanë ndikuar negativisht duke përmendur se protestat e opozitës kanë qenë si një ‘re’ e zezë për klimën e biznesit në Shqipëri dhe kanë frenuar iniciativën për rritje të investime të huaja”.

“Kemi qenë të gjithë dëshmitarë të një klime negative në ekonomi dhe të biznesit që ka dashur të përhapë opozita me protestat e dhunshme të saj, për të krijuar pasiguri te investitorët e huaj.  Gjithashtu kemi kaluar një vit elektoral me zgjedhjet lokale, dhe angazhimi i opozitës për të mbajtur ekonominë në presion negativ ka qenë në prioritet dhe kjo mënyrë e opozitës e ka dhënë efektin e vet në konsum dhe investime. Patjetër që një opozitë negative ndikon negativisht në ekonominë e vendit”, tha ai.

Bushati shprehu bindjen se qeveria do të vijojë në rrugën e saj, për të mbajtur në kontroll parametrat makroekonomik, borxhin kombëtar, inflacionin dhe normat e ulëta të interesit që janë nxitje për kreditimin dhe ekonominë.

“Ka likujditet në tregjet ndërkombëtare dhe ndoshta ky është momenti që të përfitojmë nga normat e ulëta të interesin, të cilat ndikojnë në ekonominë shqiptare 15-20 milionë euro në vit” – tha ai. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.