Ambasadori i Kosovës, Nait Hasani i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Pasi e uroi për marrjen e detyrës, Presidenti Meta e siguroi ambasadorin Hasani për mbështetjen e plotë në kryerjen me sukses të misionit të tij në Tiranë.

Kreu i Shtetit vlerësoi procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, si tregues i maturisë politike, demokratike e institucionale të Kosovës.

Presidenti u shpreh se marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe vlerësoi se bashkëpunimi midis dy vendeve është stabilizues për rajonin dhe motivues për perspektivën euroatlantike.

“Liberalizimin i vizave për qytetarët e Kosovës është i domosdoshëm, dhe duhet të realizohet sa më parë”, – theksoi Presidenti Meta. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.