Akti Normativ, Kushi: Urgjencë e qeverisë për të ndërhyrë pas rasteve të fatkeqësive natyrore

TIRANË, 4 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi deklaroi sot se “miratimi i Aktit Normativ është nevojë dhe urgjencë e qeverisë për të reaguar pas rasteve të një fatkeqësie natyrore”.

Kushi tha në Kuvend se “një qeveri e përgjegjshme duhet të reflektojë gjithmonë pas një fatkeqësie natyrore dhe kjo nuk nënkupton vetëm administrimin e pasojave, por edhe marrjen e masave për të ardhmen, se si të minimizohen apo parandalohen pasojat”.

Tërmeti i 21 shtatorit, sipas saj, “shkaktoi dëme të shumta në banesa, duke i kthyer edhe të pabanueshme”. Kushi tha se “ndërhyrja e shtetit ishte e menjëhershme për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur”.

Ajo theksoi se në 2 tetor, në më pak se dy javë pas tërmetit, qeveria solli për miratim në Kuvend një akt normativ që përjashtoi nga pagesa e taksës së ndërtimit të infrastrukturës ato banesa të dëmtuara si pasojë e fatkeqësive natyrore.

“Ky akt normativ nuk i vjen në ndihmë vetëm familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit, por ka përcaktuar dhe mundësuar zgjidhjen e përhershme të rasteve të ngjashme që mund të ndodhin në të ardhmen. Zgjidhja që qeveria dha përmes këtij akti normativ ka shkurtuar ndjeshëm kohën e ndërhyrjes dhe marrjen e masave nga bashkitë për të proceduar me eliminimin e pasojave”, – tha Kushi.

Ajo nënvizoi se efektet financiare nga zbatimi i këtij akti normativ do të përfshihen në programin e miratuar të buxhetit për institucionet qendrore dhe vendore.

Kushi tha se “është përgjegjësi e pushtetit vendor të punojë me profesionalizëm në hartimin e listave apo vlerësimin real të dëmeve nga ky tërmet./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.