VIDEO/U prek nga tërmeti, ndërtohet nga e para banesa e familjes Stafa në Petrelë

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/- Në Petrelë të Tiranës ka nisur puna për ndërtimin nga e para të shtëpisë së familjes Stafa, e dëmtuar nga tërmeti i rënë në 21 shtator të këtij viti.

Ndërkohë që janë rikonstruktuar dhe rindërtuar një pjesë e konsiderueshme e banesave të dëmtuara nga tërmeti ERTV ka parë nga afër punimet për ndërtimin nga e para të një banese në fshatin Picall të Njësisë Administrative Petrelë.

Drejtori i Emergjencave Civile në bashkinë e Tiranës, Erindi Bejko tha se “këtu jemi në një nga 5 shtëpitë që ne jemi duke punuar dhe kemi lidhur kontratat e donacionit me njësinë administrative të Petrelës. Bashkë me ne është edhe administratori i njësisë Petrelë  Sokol Jupi, një njeri energjik që nuk i ndahet punës në terren këto ditë të vështira pas përballimit të situatës të tërmetit. Shtëpia që shikojmë ka filluar rindërtimin jo më larg se dje , po të ishim dje do shikonim një objekt të goditur nga tërmeti dhe të amortizuar . Ishte një shtëpi që nuk mund të rikonstruktohej dhe donte patjetër një rindërtim”.

Sipas tij, me ekipin e njësisë administrative dhe inxhinierët e bashkisë vlerësuam që shtëpia të rindërtohej nga e para.

“Falenderojmë shumë donatorin i cili pranoi që të rindërtonte shtëpinë. Kemi hequr gjithë shtëpinë e vjetër dhe mund të shikoni edhe mobiljet dhe vjetërsirat janë lënë në një cep.Po punojmë më fadromë për hapjen e themeleve të reja”.

Administratori i njësisë Petrelë  Sokol Jupi, shprehet se “në fshatin Picall ku jemi aktualisht janë 8 familje të prekura, ndër to ka nisur ndërtimi edhe tek një familje tjetër, gjithsej janë 48 banesa të dëmtuara nga tërmeti. Për këto ka filluar diku projekti, diku rindërtimi i banesave”.

Drejtori i Emergjencave Civile në bashkinë e Tiranës, Bejko theksoi se punimet ndiqen dita ditës nga koordinatori i rindërtimit bashkë me ekipin e arkitektëve dhe inxhinierëve, që monitorojnë cilësinë e punimeve për shtëpinē.

Koordinatori për rindërtimin Petrelë, Aurel Çuko, tha se “Iliri Stafa është kryefamiljari, i cili jetonte në shtëpi me nënën, bashkëshorten dhe djalin e vogël. Fatkeqësisht Iliri ka humbur të atin para dy ditësh dhe nuk pati mundësi të shikonte prishjen e shtëpisë të dëmtuar nga tërmeti dhe të gëzonte shtëpinë e re. Por, shpresojmë që Iliri me familjarët e tij ta gëzojnë këtë shtëpi”.

Ilir Stafa, kryefamiljari i shtëpisë shprehet se “kur ra tërmeti isha brenda në shtëpi bashkë me anëtarët e tjerë të familjes, ishim 6 persona. Shtëpia ka qenë 120 metër dhe me dy kate”.

Skuadrat e terrenit po punojnë pa pushim për të garantuar që çdo familje e prekur nga pasojat e tërmetit, të ketë një strehë të sigurt e dinjitoze brenda një kohe të shkurtër.  Brenda dhjetorit ERTV do të rikthehet për të parë banesën e re./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.