Receta e rimbursuar tashmë nënshkruhet elektronikisht edhe nga farmacisti

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ – Aplikimi i recetës elektronike për të eliminuar kështu recetat e letrës të përdorura për vite me radhë për barnat e rimbursueshme ka sjellë lehtësi në kryerjen e këtyre procedurave për pacientët.

Risia e radhës, e njoftuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu është se, “receta e rimbursuar përveç mjekut të familjes, tashmë nënshkruhet elektronikisht edhe nga farmacisti”.

“Nga sot, 67 farmaci në Durrës dhe Krujë dhe së shpejti 800 farmaci në të gjithë vendin, nuk do të nevojitet të printojnë rreth 400,000 receta në muaj që rimbursohen për qytetarët”, – njoftoi ministrja Manastirliu.

Verifikimi i informacionit bëhet në kohë reale në platformën e të dhënave shëndetësore elektronike. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.