Prona e konfiskuar nga krimi i organizuar, BE: Një sipërmarrje sociale për gratë e të rinjtë në Fier

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ – Pastiçeria “KE BUONO” në Fier festoi javën që kaloi një vit që operon në treg duke ëmbëlsuar qytetarët që zgjedhin të provojnë produktet e saj.

Në kuadër të projektit të Bashkimit Europian, “Përdorimi i pronave të konfiskuara për sipërmarrje sociale”, kjo sipërmarrje është kthyer në një mjedis social. “Ajo që dikur ishte një pronë e konfiskuar nga krimi i organizuar, tani është një mjedis social që ofron mundësi për viktimat e krimit të organizuar, gratë dhe të rinjtë”, – thotë Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë.

Pastiçeria “Ke Buono” në Fier është shembulli i parë shqiptar i një aseti të konfiskuar nga grupet kriminale që po ripërdoret për qëllime sociale, prandaj delegacioni i BE fton qytetarët që, “kur të jeni në Fier dhe do të doni të shijoni diçka të ëmbël, ndaloni tek “KE BUONO””. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.