Presidenti Thaçi: Kosova do ta luftojë pa kompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin e çdo forme

PRISHTINË, 2 nëntor/ATSH/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për terrorizmin në vitin 2018, ka theksuar edhe një herë vendosmërinë se shteti i Kosovës do ta luftojë pa kompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin e çdo forme.

“Më gëzon fakti që Kosova sërish lavdërohet në raportin e Departamentit të Shtetit për terrorizmin në vitin 2018, si shtet që ka bashkëpunuar me SHBA-në në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe vlerësohet si anëtare e Koalicionit Global kundër ISIS-it. Kapitulli për Kosovën numëron të arriturat e të gjitha agjencive, gjyqësorit, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të KFOR-it dhe EULEX-it, duke vlerësuar bashkëpunimin e tyre në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Kosova do ta luftojë pa kompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin e çdo forme. Jemi partner i barabartë i aleatëve tanë dhe kontribuues për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë”, ka shkruar ai.

Në raportin për luftën kundër terrorizmit për vitin 2018 të paraqitur nga DASH thuhet se Kosova vazhdoi të luftojë rrezikun e terrorizmit nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Kosova vazhdon të jetë vend anëtar i Koalicionit Global për mposhtjen e ISIS-it.

Autoritetet e zbatimit të ligjit, thekson raporti në fjalë, demonstruan kapacitetet e duhura për të diktuar dhe parandaluar disa plane terroriste në Kosovë dhe jashtë saj, ndërkohë që Departamenti amerikan i Shtetit i mbështeti këto përpjekje nëpërmjet Programit të Asistencës Kundër Terrorizmit. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.