Bashkëqeverisja/ Mbifaturohet me 23 milionë lekë, Roland Dalipit i rishikohet fatura e energjisë

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Platforma e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al i erdhi në ndihmë një biznesi në Korçë, i cili kishte një mbifaturim në shumën 23 milionë lekë në faturën e energjisë elektrike për muajin gusht.

Kryeministri Edi Rama solli sot rastin e Roland Dalipit, nga fshati Ravonik i Korçës, i cili  vendosi t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes për shqetësimin e tij.

“Mirëmëngjes dhe me rastin e Rolandit nga Ravoniku i Korçës që nuk i’u dorëzua mërzisë po shkroi në shqiperiaqeduam.al dhe e zgjidhi telashin e tij, ju uroj një fundjavë të bukur”, tha Rama.

Në biznesin e Roland Dalipit, në muajin gusht kishte ardhur një faturë e energjisë elektrike me vlerën 23 milionë lekë.

“Kjo ishte një shumë e madhe. 23 milionë lekë brenda muajit, u tronditëm kur e morëm vesh. Jam i rregull me energjinë dhe nuk kam lënë asnjë muaj pa paguar. Bëra një ankesë në Kujdesin ndaj Klientit në OSHEE dhe ata më thanë se të kthejmë përgjigje për 1 muaj. Prita 1 muaj dhe nuk mora asnjë përgjigje, ndërkohë që këtu më vinin dhe më thoshin se të është shtuar kamat 3 milionë lekë. Vendosa t’i shkruaja platformës”, tha ai.

Dalipi iu drejtua bashkëqeverisjes me kërkesën për të rishikuar faturën dhe vlerën e matësit, sepse sipas tij, “është e pamundur të kem shpenzuar një vlerë të tillë”.

Pasi shkruajti në platformë, Dalipit i erdhi përgjigja se kjo punë do të sistemohet. “Në faturë ishte hequr nga OSHEE shuma 23 milionë lekë dhe ishte vendosur 700 mijë lekë, që në fakt i paguaj sistematikisht. Kamatat ishin hequr të tëra. Më mbetet vetëm të falënderoj bashkëqeverisjen që më hoqi stresin”, tha ai./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.