Transformim epokal në Urgjencën Kombëtare, 1 mijë jetë më shumë të shpëtuara

TIRANË, 1 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Transformimi epokal që ka ndodhur në Shërbimin e Urgjencës Kombëtare bën që të kemi mesatarisht 1 mijë jetë të shpëtuara më shumë se në të shkuarën, për rastet e urgjencave kardiake, traumatike apo cerebrale”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në eventin për modernizimin e Urgjencës Kombëtare, në Spitalin e Traumës.

Duke vënë në dukje transformimin e viteve të fundit në këtë Urgjencë, Rama tha se “për këdo që nuk ka pasur punë me Shërbimin Kombëtar të Urgjencës dhe që pafajësisht mban në kujtesë ndonjë episod nga e shkuara, gjithçka ne themi sot tingëlloi si propagandë”.

Kjo sipas tij, “mund të jetë për të gjithë ata që fatmirësisht nuk kanë pasur nevojë të drejtohen në shërbimet tona spitalore gjatë këtyre viteve transformuese”.

“1 mijë jetë të shpëtuara nuk bën lajm, 1 jetë e humbur bën lajm dhe bujë, apo akoma më keq, një gënjeshtër”, – tha Rama.

Ai solli në vëmendje se pas tërmetit të 21 shtatorit, u regjistruan në kompjuterat e Urgjencës kombëtare 1600 thirrje të trajtuara dhe morën ndihmë në kohë reale 128 qytetarë të dëmtuar në Tiranë apo Durrës.

Kjo, tha Kryeministri Rama, “do të ishte e paimagjinueshme dhe jo më e realizueshme më parë, sepse Urgjenca Mjekësore e kishte të pamundur të trajtonte më shumë se 3 raste në të njëjtën kohë”.

“Vetëm pak vite më parë, për të marrë kontakt me Urgjencën Mjekësore duhet të rrije deri edhe pafundësisht që të ngrinin telefonin për shkak se ishin vetëm 3 linja që funksiononin.
Sot ky shërbim është një nga historitë më domethënëse të transformimit të shërbimit shëndetësor në Shqipëri, një transformim që vazhdon dhe që ka nevojë ende për kohë dhe durim për të përmbushur ciklin e parë, atë të krijimit të një situate normaliteti, për të synuar një cikël të dytë, ekselencën e domosdoshme në disa nga drejtimet jetësore të këtij shërbimi”, – tha Rama.

Qendra Kombëtare e Urgjencave në Shqipëri, sipas tij, “sot është njësoj pa asnjë dallim nga qendrat e urgjencave në Europë, me një sistem dixhital të lidhur me një ekran ku shfaqet në kohë reale gjithë veprimtaria e shërbimit në të gjithë hartën e Shqipërisë”. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.