Kamzë, mbështetje financiare për furnizimin 24 orë me ujë të banorëve

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ – Bashkia Kamzës falë programit Infrastruktura Bashkiake V (MIPV) do të përfitojë mbështetje financiare, jo vetëm për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm përmes modernizimit dhe optimizimin e infrastrukturës të ujësjellës – kanalizimeve, por edhe shmangien e përmbytjeve.

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve ka bërë të ditur se investimi përmes kësaj ndihme financiare do të përmirësojë jo vetëm cilësinë e shërbimit ndaj konsumatorit por do të rrisë dhe performancësn e UK Kamëz.

“Në 2020 Bashkia Kamëz dhe UK Sh.a. Kamëz përfitojnë mbështetjen financiare falë programit Infrastruktura Bashkiake V (MIPV) me fokus kryesor rehabilitimin dhe shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit. Komponentë të tjerë në fokus të këtij financimi janë trajtimi i ujërave të ndotura dhe ujërave të shiut si dhe mjete pune për UK Kamzë”, – njofton AKUM.

Ky investim mbështetet nga financimet e Qeverisë Gjermane përmes KfW, Qeverisë Zvicerane përmes SECO dhe Bashkimit Europian për transformimin rrënjësor të sektorit të ujit në Shqipëri për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve, nxitur rritjen e ekonomisë lokale.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.