Kalendari i nëntorit, Banka e Shqipërisë “nxjerr” koleksionin e saj të veprave të artit

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/- Prej kohësh, Banka e Shqipërisë ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt ekspozimit, pasurimit dhe koleksionimit të veprave të artit pamor, nga autorë të njohur shqiptarë, të cilët kanë qenë dhe mbeten gur themeli në historinë e artit tonë, si dhe nga artistë të gjeneratës së re, që japin kontributin e tyre për zhvillimin e artit modern dhe bashkëkohor.

Kalendari 2019 i Bankës së Shqipërisë prezanton një pjesë të vyer të këtij koleksioni pikturash, të cilat pasqyrojnë më së miri natyrën mjaft të pasur të tij. Ato janë vepra të disa prej artistëve më të mirë shqiptarë.

Në faqen e muajit nëntor paraqitet piktura “Autovinçi”, vaj në fibër, me përmasa 45 x 62cm. Piktura është vepër e një ndër artistëve më të rëndësishëm shqiptarë të Realizmit Socialist, Isuf Sulovarit, lindur në Elbasan (1934 – 2006). Veprat e Sulovarit vlerësohen për stilin e veçantë, ngjyrat dekorative dhe format e plota larg natyralizmit akademik. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.