Furnizimi me ujë në zonat rurale, realizohen 55% e punimeve në Klos

TIRANË, 1 nëntor/ATSH/ Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kryer 55% të punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të Klosit i cili do të furnizojë banorët e zonave Skënderaj, Kurdari, Suç dhe Kujtim.

Sipas të dhënave të publikuara nga FSHZH, aktualisht janë realizuar mbi 98 % linjë transmetimi, si dhe rreth 95 % linjë shpërndarëse, ndërsa kanë përfunduar proceset e betonimit për 3 depo dhe 13 puse shuarje.

Puna po vazhdon aktualisht në rrjetin shpërndarës, për pusetat ajruese dhe shkarkuese, ku janë realizuar mbi 75 % e tyre, si dhe në ndërtimin e linjave nga puseta e shpërndarjes, te kufiri i pronës së çdo familjari.

Furnizimi me ujë i zonave rurale është një program i bashkëfinancuar nga qeveria shqiptare, Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, dhe Bashkimi Europian.
Prej studimeve fillestare të fizibilitetit e deri te proceset e mirëmbajtjes në përfundim të punimeve, këto ndërhyrje do të sigurojnë krijimin e kushteve higjieno-sanitare të përshtatshme për ujin e pijshëm, si dhe furnizimin pa ndërprerje, duke përmirësuar kushtet bazë të jetesës.

Me një shtrirje gjeografike në të gjithë territorin e vendit, programi i ujësjellësve ruralë synon një zgjidhje afatgjatë, përmes skemave të ujësjellësve dhe përmirësimit të infrastrukturës të rrjeteve të furnizimit.

/a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.