Foto/ “Kurorë guri”, ekspozita sjell forcën e gruas shqiptare

TIRANË, 1 nëntor /ATSH A.ALLA/ – Gruaja shqiptare, e aftë të mbajë mbi supe shkëmbinj, me vite e me shekuj; e denjë të lëvizë botën dhe të rishkruajë historinë, të thyejë gurin dhe t’i japë formë duke e shndërruar në një kurorë simbol të sakrificës së saj, janë disa nga tiparet karakteristike të cilat erdhën mbrëmjen e djeshme për publikun nën penelin e piktorit të ri Markel Capo.

Ekspozita e titulluar “Kurorë Guri”, solli në Kalanë e Tiranës mbrëmjen e djeshme një ekspozitë të veçantë pasi ajo që të binte në sy në pikturat e Capo ishin femrat shqiptare të cilat kanë shënjuar historinë si simbole të rezistencës që nga Rozafa e deri tek Argjiroja.

Gjithashtu një detaj tjetër mjaft interesant ishin tiparet e këtyre grave që në pikturat e Markel Capos ishin të theksuar sytë e tyre ishin të pikturuar me mjaft mjeshtëri ku nga njëra ana tregojnë forcën dhe besimin dhe nga ana tjetër bukurinë e tyre.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare Markel Capo u shpreh se ideja e kësaj ekspozite i kishte lindur dy vite më parë dhe se frymëzimi i pikturave të tij ishin gratë shqiptare të cilat ai i konsideron si muza të rezistencës dhe sakrificës.

“Për këtë ekspozitë janë frymëzuar nga historia e Rozafës e cila u sakrifikua për qëndresën e Kalasë së Rozafës. Për mua, gruaja shqiptare është gruaja më e fortë në botë dhe ka pasur ndikim kudo në çdo fushë të jetës”, tha Capo.

Në këtë ekspozitë artisti i ri Capo ka ndërthurur element të tradicionales dhe modernes ku e veçanta e tij ishin kostumet tradicionale shqiptare që tregojnë pasurinë tonë të trashëgimisë jomateriale dhe detaji modern ishte se çdo femër në pikturë në kokë kishte një kala që simbolizonte forcën e saj.

Capo tha se, “në këto piktura kam ndërthurur modernen dhe tradicionalen ku tradicionalja shihet te kostumet tradicionale që kam veshur çdo femër në pikturë. Kalaja është përdorur si kurorë për të treguar forcën e gruas shqiptare”.

Kjo ekspozitë e çelur dje në Kalanë e Tiranës do të qëndrojë e hapur përgjatë një jave për publikun kryeqytetas. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.