Shtyrja e negociatave, EESC: Gabim gjeostrategjik e historik, BE të ruajë besueshmërinë dhe seriozitetin

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Komiteti Ekonomik dhe Social i Europës (EESC) me anë të një Rezolute ka shprehur zhgënjimin për vendimin e liderëve të BE-së për të shtyrë më tej hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

EESC thekson se, mosvendosja për herë të dytë për hapjen e negociatave të pranimit me këto dy vende, që i kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme, është një gabim gjeostrategjik e historik dhe vë në diskutim besueshmërinë dhe seriozitetin e BE-së.

Rezoluta e plotë e EESC

1. Komiteti Ekonomik dhe Social i Europës (EESC) është shumë i zhgënjyer për vendimin e liderëve të BE-së për të shtyrë më tej hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjatë Këshillit Europian mbajtur më 17-18 tetorit, për shkak të mungesës së unanimitetit midis shteteve anëtare.

2. EESC shpreh keqardhje të fortë për mosrespektimin e angazhimeve të ndërmarra ndaj këtyre dy vendeve. Në fakt, përfundimet e Këshillit Europian të 28 qershorit 2018, të cilat miratuan përfundimet mbi zgjerimin dhe procesin e stabilizimit dhe shoqërimit të miratuar nga Këshilli më 26 qershor 2018, ishin një rrugë e qartë drejt hapjes së negociatave të pranimit në qershor 2019. Më 18 qershor 2019, Këshilli Europian vendosi ta shtyjë, jo më vonë se tetori 2019, çështjen e rekomandimeve të Komisionit për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

3. EESC thekson se mosvendosja, për herë të dytë, për hapjen e negociatave të pranimit me këto dy vende, që i kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme, është një gabim gjeostrategjik e historik dhe vë në diskutim besueshmërinë dhe seriozitetin e BE-së. BE kishte mundësi t’i fillonte negociatat, ndërkohë që zbatonte kushtet rigoroze për një mirëqeverisje, duke këmbëngulur në zbatimin e rreptë të kritereve për anëtarësim gjatë procesit të negociatave dhe krijimin e mjeteve më të mira për të monitoruar sundimin e ligjit pas pranimit.

4. EESC është e bindur se procesi i “europianizimit” të këtij rajoni kërkon reforma të ashpra strukturore brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor.

5. Nuk ka dyshim që vihet re një lodhje nga një zgjerim kaq i madh midis qytetarëve europianë në disa shtete anëtare. Nuk ka dyshim se ndarja brenda BE-së për çështje të tilla si emigracioni dhe buxheti i ri e largoi vëmendjen e nevojshme politike nga politika e zgjerimit, por konsensusi politik dhe mbështetja e gjerë e publikut për pranimin në BE të Maqedonisë së Veriut ashtu edhe të Shqipërisë nuk mund të injorohet.

6. Të rinjtë e Ballkanit Perëndimor kanë pritshmëri të mëdha nga BE dhe ne nuk duhet të heqim dorë. EESC është e bindur që ne duhet t’u japim atyre një këndvështrim pozitiv për të ardhmen e tyre, duke i lejuar ata të jetojnë në një rajon që është i qëndrueshëm dhe i zhvilluar.

7. Organizatat e shoqërisë civile janë plotësisht të bindura se Ballkani Perëndimor është një rajon kyç gjeostrategjik i Europës, në kopshtin tone të pasmë, ndërkohë që të tjerë lojtarë botërorë po e shohin me interes këtë rajon.

8. Në Forumin e 7-të të Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor, promovuar nga EESC në Tiranë më 16-17 prill 2019, organizatat e shoqërisë civile përsëritën në deklaratën përfundimtare se zgjerimi i BE-së dhe, në veçanti, përhapja e vlerave të saj demokratike dhe standardeve ligjore në Ballkanin Perëndimor, është në interes si të rajonit, ashtu edhe të BE-së, pavarësisht sfidave të shumta me të cilat po përballet aktualisht.

9. EESC e ka shprehur vazhdimisht shqetësimin në lidhje me tkurrjen e hapësirës së shoqërisë civile në shumë vende të Ballkanit Perëndimor dhe ka bërë thirrje për të inkurajuar autoritetet në Ballkanin Perëndimor që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar respektimin e ligjit, e të drejtave themelore të njeriut, e reformave në drejtësi, për të luftuar kundër korrupsionit dhe diskriminimit, për të siguruar pavarësinë e gazetarëve dhe lirinë e shtypit, disa nga vlerat thelbësore europiane që duhen respektuar nga çdo shtet anëtar i BE-së. Dialogu social, si edhe roli i partnerëve socialë dhe organizatave të shoqërisë civile në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, duhet të inkurajohen dhe promovohen fuqimisht.

10. EESC do të vazhdojë të punojë ngushtë me shoqërinë civile në Ballkanin Perëndimor, për t’i mbështetur dhe siguruar ata që vendi i tyre është në Bashkimin Europian. Ne do të bëjmë çfarë të mundemi për të promovuar pajtimin dhe vlerat europiane në rajon dhe qëndrimi ynë për sa i përket zgjerimit të BE-së do të mbetet i fortë. Ne jemi të bindur se një perspektivë e qartë mbi pranimin në BE është thelbësore për qëndrueshmërinë e rajonit dhe ne shprehin shpresën tonë se zgjerimi do të mbetet një nga përparësitë e BE-së, pavarësisht sfidave të shumta me të cilat po përballet aktualisht.

11. Nga ana jonë, përmes aktiviteteve tona të rregullta me partnerët tanë nga rajoni, Komitetet e Përbashkëta Këshilluese të Shoqërisë Civile me Malin e Zi dhe Serbinë, Forumet e Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor, si edhe Konferencat e Shoqërisë Civile të Nivelit të Lartë të organizuar para Samitit BE-Ballkan Perëndimor, ne do të vazhdojmë të jemi zëri i shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor dhe të veprojmë si një urë drejt institucioneve të BE-së dhe qeverive të tyre përkatëse.

12. EESC shpreh vlerësimin e saj maksimal për rezolutën e Parlamentit Europian të miratuar më 24 tetor 2019 dhe konfirmon angazhimin e saj të plotë për të mbështetur Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian në hyrje, për të forcuar politikën e zgjerimit dhe mjetet e BE-së në angazhimin e saj me Ballkanin Perëndimor.

13. EESC u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme, në mënyrë që Këshilli Europian të marrë një vendim unanim, pozitiv përpara Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj 2020. Gjithashtu, ne kërkojmë nga presidenca e ardhshme kroate e Këshillit të BE-së që t’i japë një shtysë të re procesit të zgjerimit në Samit./ /ervo/ /gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.