Sarandë/ “Strategjia e lëvizshmërisë” në fazën e tretë, lehtësim qarkullimit në qytetin turistik

TIRANË, 31 tetor/ATSH/- Një tjetër takim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit me bashkinë e Sarandës i është shtuar procesit të konsulencës për projektin “Strategjia e Lëvizshmërisë”.

Në prani edhe të kryebashkiakut Adrian Gurma, si dhe të stafit kryesor drejtues të bashkisë, specialistë të huaj kanë bërë njohjen me ecurinë e dy fazave të para të projektit dhe kanë prezantuar detyrat kryesore të fazës së tretë.

Paraqitja e një panorame të shpejtë për të tre fazat është shoqëruar me konsulencë argumentuese nga ana e specialistëve të bashkisë, me dëshirën dhe qëllimin që projekti të maksimalizojë efektet e veta në përditshmërinë e jetës urbane dhe lëvizshmërisë në Sarandë.

Parësore ka qenë kërkesa që projekti të zgjidhë në mënyrë optimale vështirësitë e qarkullimit, veçanërisht në kohështrirjen e sezonit turistik.

Pas marrjes së opcioneve konkrete të bashkisë për këto problematika, u dakordësua që projektuesit t’i reflektojnë ato dhe thirrja e një seance tjetër konsulence të jetë shumë e afërt./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.