“Netët e Kinemasë Europiane” në Pukë, shfaqen dy filma shqiptarë

TIRANË, 31 tetor/ATSH/- “Netët e Kinemasë Europiane” nisi mbrëmjen e djeshme në qytetin e Pukës, me shfaqjen e dy filmave shqiptarë.

Ky aktivitet i zhvilluar nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj, u alternua dhe me numra artistikë, teksa dy filma shqiptarë, të cilët u shfaqën për të parën herë para publikut pukjan kanë mbërthyer të pranishmit në këtë aktivitet, i cili është mirëpritur nga artdashësit.

Në natën e parë të kësaj veprimtarie përshëndeti dhe producenti, Skënder Jaca, i cili tha se “kthehej në Pukë pas shumë vitesh duke gjetur një realitet të ri dhe plot shpresë, teksa i premtoi kryebashkiakut Gjonaj publikisht se do të punonte fort që Puka të kishte pajisjet e kinemasë”.

Emocionuese ishte dhe përshëndetja e aktores Suela Konjari, e cila në fjalën e saj u ndal tek Puka turistike dhe ndryshimi që ka pësuar qyteti duke i ikur zymtësisë që e karakterizonte.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryebashkiaku Gjonaj u shpreh se “sonte pas më shumë se 30 vitesh kemi rikthyer në Pukë një veprimtari që vërtet i ka munguar Pukës, siç është kinemaja”.

“Në emrin e të gjithë ju bashkëqytetarëve të mi dua të përcjell një falënderim të përzemërt për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, të gjithë organizatorët dhe mbështetësit e tjerë dhe në mënyrë të veçantë, producentin Skënder Jaca. Për tre ditë me radhë pasditet dhe mbrëmjet tona do të jenë ndryshe falë këtij organizimi, i cili sonte na bën të mendojmë se sërish kemi nevojë për art dhe kulturë”-, tha Gjonaj.

“Jam i bindur se këto tre netë do t’i kalojmë së bashku nën atmosferën e magjisë së ekranit të madh të kinemasë, ashtu siç jam i bindur se Puka i meriton aktivitete të përmasave të tilla, të cilat vijnë si pjesë e transformimit, jo vetëm infrastrukturor, por edhe kulturorë të qytetit tonë dhe zonave përreth”, tha ndër të tjera Gjonaj, teksa shprehu bindjen se aktivitete të tilla duhet të jenë pjesë periodike e jetës kulturore dhe artistike në qytet.

“Netët e Kinemasë Europiane” do të vijojë deri në 1 Nëntor kur do të jetë dhe nata e fundit e kësaj veprimtarie artistike, që përbën një risi për qytetin e Pukës./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.