Meta: Diaspora, kontribut për forcimin e marrëdhënieve Kroaci-Shqipëri

TIRANË, 31 tetor /ATSH – I. Vata/ “Diaspora shqiptare në Kroaci ka dhënë një kontribut të çmuar në forcimin e marrëdhënieve mes Kroacisë dhe Shqipërisë”, është shprehur Presidenti, Ilir Meta në takim që zhvilloi sot me drejtues dhe përfaqësues të diasporës shqiptare nga e gjithë Kroacia.

Në takim me përfaqësuesit e diasporës gjatë vizitës në Kroaci, Presidenti Meta u shoqërua nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Riza Poda.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta shprehu vlerësimet e tij të larta për diasporën shqiptare në Kroaci, për kontributin e saj të çmuar dhe të vlerësuar për shtetin kroat, si dhe në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes Kroacisë dhe Shqipërisë.

“Në një atmosferë shumë miqësore u ndanë mendime mbi rolin, veprimtaritë, bashkëpunimin dhe mbështetjen e diasporës shqiptare në Kroaci me qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar”, shprehet Ambasada shqiptare në Kroaci.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.