Braçe: Fakti rrëzon gënjeshtrën, shteti paguan çdo qindarkë për pensione

TIRANË, 31 tetor /ATSH – I. Vata/ “Faktet rrëzojnë gënjeshtrën në lidhje me gënjeshtrën se shteti s’i paguan 100 milionë euro sigurimeve shoqërore”, deklaroi sot zëvendëskryeministri Erjon Baraçe, ndërsa thekson se shteti paguan çdo qindarkë për pensionet.

“Supergënjeshtra: Shteti s’i paguan 100 milionë euro sigurimeve shoqërore, shteti ra! E dëgjova tri ditë më parë dhe kam heshtur. Besoja se autorët e gënjeshtrës do përmbaheshin, do vetëkorrigjoheshin. Por dje, gënjeshtra u bë edhe me konkrete duke shkuar deri në raste të rreme të “pensionisteve të papaguar”, shprehet ai.

Braçe thekson se janë “paguar deri në qindarkën e fundit, natyrisht! Ndaj, vendosa të sjell fakte lehtësisht të verifikueshme, kundër gënjeshtrës”.

Po ashtu Braçe shton se, “Gënjeshtra: Shteti i ka borxh Institutit të Sigurimeve Shoqërore 100 milionë euro!”

“E vërteta; Fakt: Institucionet buxhetore, deri në datën 25.10.2019, i kanë 164.377.595 lekë detyrime Institutit të Sigurimeve Shoqërore! Pra, detyrimi i institucioneve buxhetore (shtetërore) është: 1.336.403 euro. Kurrë nuk është 100 milionë euro! Bashkë me gjoba dhe interesa ky detyrim arrin në 445.570.492 lekë, 3.622.524 euro! Institucionet jobuxhetore, deri në datën 25.10.2019, i kanë 284.862.360 lekë detyrime Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Pra detyrimi i institucioneve jobuxhetore (publike) është: 2.315.954 euro. Bashkë me gjoba dhe interesa ky detyrim arrin në 386.323.571 lekë, 3.140.842 euro. Pra, detyrimi i institucioneve publike-identifikuar si “shteti”, është: 3.652.357 euro. Bashkë me gjoba e interesa detyrimi është: 6.763.366 euro”, shprehet ai.

Në vijim Braçe shton se “janë 100 milionë euro? kurrë! Shihini numrat! Janë pak? Asfarë! çdo qindarkë detyrim ligjor duhet arkëtuar dhe “shteti” duhet të jetë shembulli! Tani, a e ka rrezikuar detyrimi prej 3.6 milionë euro skemën e pensioneve? Asfare! Skema e pensioneve është e shëndetshme, dukshëm e përmirësuar në çdo tregues, përfshirë aftësinë paguese; paguan çdo qindarkë të pensioneve për cilindo pensionist dhe në kohë!”

“Të ardhurat në skemë janë rritur me 21.9 miliardë lekë ose 42,7% në krahasim me vitin 2013-të! Përfitimet e pensionistëve janë rritur me 29.7 miliardë lekë në krahasim me vitin 2013-të. Numri i kontribuuesve në skemë është rritur me 228 mijë në krahasim me vitin 2013-të. Koeficienti i varësisë (kontribuues/pensionistë pleqërie) është përmirësuar nga 1,25 në 1,53 duke siguruar një mbulim më të mirë. Deficiti i skemës së pensioneve është ulur me 0,35 pikë ndaj GDP”, argumenton Braçe.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.