“Akademia Atelier Albania” në funksion të programit “100 fshatrat”

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ “Akademia Atelier Albania” përmes projekteve të rimodelimit të akseve rrugore si element thelbësor i vendbanimeve bregdetare, synon të vihet në funksion të plotë të programit “100 fshatrat”.

Akademia Atelier Albania 2019, do të mbledhë ekspertë, studentë nga një sërë institucione të rëndësishme për të ofruar në fund një dokument udhëzues në shërbim të projektimit dhe rimodelimit.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, njofton se, “Akademia Atelier Albania ’19 zhvillohet në kuadër të punës së Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit AKPT dhe konkretisht nismës për hartimin e standardeve të planifikimit të territorit, projektimit urban si dhe në vijim të kontributit për Programin e Zhvillimit Rural “Programi 100 fshatrat” nëpërmjet “Akademisë 100+ fshatrat”, lind nevoja e organizmit të Akademisë Atelier Albania 2019 e cila do të fokusohet në nxjerrjen e disa udhëzimeve për projektimin dhe rimodelimin e akseve rrugore si element thelbësor i vendbanimeve bregdetare. Gjatë akademisë do të studiohet sistemi i qarkullimit në kontekstin aktual dhe historiku i tij duke u mbajtur si prioritet mirëqenia e banorëve dhe e turistëve. Këto direktiva projektimi do të shërbejnë si një bazë për krijimin në vijimësi të një dokumenti me fuqi ligjore”.

Thirrja për të interesuarit që duan të bëhen pjesë e projektit do të mbetet e hapur deri në 13 dhjetor kohë kur mund të dorëzohen aplikimet. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.