Votat e diasporës/ Gjykata Supreme i jep të drejtë LVV dhe urdhëron KQZ të nisë numërimin

PRISHTINË, 30 tetor/ATSH/ Gjykata Supreme e Kosovës i ka dhënë të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me ankimin për çështjen e votave nga diaspora të ardhura, sipas Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me vonesë.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se ka marrë sot nga Gjykata Supreme e Kosovës vendimin ku konfirmohet e drejta e votuesve nga diaspora, e cila më në fund i hap rrugë numërimit të pakove me vota të ardhura prej tyre.

“Presim që sa më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mblidhet dhe të marrë vendimin për të vijuar me procedurat e verifikimit dhe numërimit të këtyre fletëvotimeve”, shprehet Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, e gjithë kjo mund të ishte evituar nëse prej 12 tetorit KQZ do të kishte lejuar administratën e saj t’i numëronte këto fletëvotime.

Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar në Gjykatën Supreme të Kosovës rreth vendimit të PZAP, me të cilin nuk lejohej numërimi i 4639 zarfeve me vota, pasi kishin arritur me vonesë në Kosovë, edhe pse ato ishin nisur në kohë.

Në ankesën e dytë të Vetëvendosjes, Gjykata Supreme vendosi që KQZ të bëjë rinumërimin e 4639 fletëvotimeve të ardhura jashtë Kosovës.

Tashmë pritet që KQZ të vazhdojë numërimin, i cili do të mundësojë edhe nxjerrjen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.