ANKARA, 30 tetor /ATSH-AFP/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi sot se njohja e gjenocidit armen nga Dhoma amerikane e Përfaqësuesve nuk kishte asnjë vlerë për Ankaranë.
“I drejtohem publikut amerikan dhe pjesës tjetër të botës. Kjo masë nuk ka asnjë vlerë, ne nuk e njohim atë”, deklaroi Erdogan gjatë një fjalimi para deputetëve të partisë së tij në Ankara.
“Në besimin tonë mysliman, gjenocidi është i ndaluar (…) Ne i shikojmë këto akuza si fyerje e madhe për kombin tonë”, shtoi presidenti turk.
Dje, Dhoma amerikane e Përfaqësuesve miratoi me shumicë votash një tekst që bënte thirrje për të kujtuar gjenocidin armen dhe për të hedhur poshtë përpjekjet (…) për të lidhur qeverinë amerikane me mohimin e gjenocidit armen.
Sot, Ministria turke e Punëve të Jashtme thirri ambasadorin amerikan në Ankara për t’i transmetuar protestën turke./ /ec/ a.jor.