Përurohet Qendra e Regjistrimit dhe Akomodimit të Përkohshëm për Migrantët në Kapshticë

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës ka publikuar sot një artikull duke vlerësuar hapjen e Qendrës për Regjistrimin dhe Akomodimin e Përkohshëm për migrantët e parregullt në Kapshticë.

Një Qendër Regjistrimi dhe Akomodimi e Përkohshme për migrantë të parregullt u përurua dje, afër pikës kufitare me Greqinë. Qendra u themelua nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Shqipëri, në partneritet me Ministrinë e Brendshme dhe me financim nga Fondi i Migrantëve dhe Refugjatëve (MRF).

Objekti përfshin 17 njësi të pajisura plotësisht dhe do të presë 60 persona. Një njësi shërben për regjistrim, dhjetë për akomodim, dy janë blloqe sanitare (një për burra dhe një për gra), ka gjithashtu dy banjo, një kuzhinë dhe një njësi lavanderie. Salla e regjistrimit përfshin katër poste pune të pajisura plotësisht.

Të gjitha njësitë janë të pajisura me shtretër, dyshekë, çarçafë, jastëkë, jorgan dhe batanije. Çdo banjo dhe njësi sanitare ka pesë tualete, plus një më shumë për migrantët me aftësi të kufizuara. Të gjitha njësitë janë të pajisura me fikëse zjarri si dhe dy instalime kundër zjarrit. Për më tepër, janë siguruar dy furgonë nga IOM për lehtësimin e transferimit të migrantëve në qendër dhe anasjelltas, për çdo shërbim shtesë të nevojshëm.

“Kjo qendër është një shembull i angazhimit të IOM-së. Qëllimi kryesor këtu është të sigurohet që migrantët dhe refugjatët të marrin mbështetjen dhe shërbimet e nevojshme. Qendra garanton që njerëzit në lëvizje trajtohen me dinjitet. Ajo siguron qasje në strehim, mbështetje mjekësore dhe siguri”, deklaroi Argjentina Szabados, Drejtoreshë Rajonale e IOM-së për Europën Lindore, Juglindore dhe Azinë Qendrore, në përurimin e qendrës.

“Jemi të kënaqur të shohim që MRF mban premtimin”, deklaroi Stephan Sellen, zëvendësdrejtor në Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Europës.

IOM do të sigurojë gjithashtu aktivitete për ndërtimin e kapaciteteve të oficerëve të policisë kufitare dhe migracionit për menaxhimin e fluksit të migracionit në përputhje me standardet përkatëse europiane dhe ndërkombëtare.

Në nivel kombëtar, projekti kontribuon në përpjekjet e Shqipërisë për të arritur migracion të duhur, të sigurt dhe të përgjegjshëm lëvizjen e njerëzve përmes zbatimit të politikave të planifikuara dhe mirëmenaxhuara të migracionit. / /sara/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.