Nga tetori, pagesat e sigurimeve shoqërore njëkohësisht me rrogat

TiranË, 30 Tetor/ATSH/ Institucionet buxhetore dhe jobuxhetore do të detyrohen të kryejnë pagesat e sigurimeve shoqërore njëkohësisht me pagesën e borderosë, dhe jo pas 20 ditëve siç parashikohet në udhëzimin e zbatimit të buxhetit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë informoi sot se do të ndryshojë udhëzimin e zbatimit të buxhetit 2019, përmes së cilit specifikohet se pagesat e sigurimeve shoqërore të institucioneve buxhetore do të kryhen njëkohësisht me pagesën e borderosë, dhe jo pas 20 ditëve si në parashikimin e mëparshëm.

Ndërkohë, drejtoria e Thesarit, po në bazë të këtij udhëzimi, do të sigurojë zbatimin me rigorozitet të këtij rregulli të ri nisur nga muajit tetor 2019. Në mënyrë paralele, edhe drejtoria e Tatimeve dhe instituti i Sigurimeve Shoqërore po ndjekin intensivisht rakordimin dhe shlyerjen hap pas hapi të këtyre detyrimeve të maturuara.

Në vijim, drejtoria e Tatimeve në bashkëpunim edhe me Inspektoratin e Punës janë angazhuar në kuadër të planit operacional stop-informalitetit për monitorin e deklarimeve të punonjësve dhe të pagave nga subjektet private.

Ky borxh në vetvete sipas Ministrisë së Financave, është një proces dinamik, i cili ndikohet edhe nga cikli i rritjes dhe zhvillimit ekonomik të një vendi.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë siguron qytetarët shqiptarë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, brenda hapësirave që lejon ligji, që të bëjë të mundur amortizimin deri në eliminim të të gjitha detyrimeve të prapambetura. Çështje të kësaj natyre nuk cenojnë në asnjë formë ecurinë e buxhetit të shtetit dhe qëndrueshmërinë e indikatorëve bazë të ekonomisë.

/a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.