Magjia e kinemasë europiane për tre netë në qytetin verior të Pukës

TIRANË, 30 tetor/ATSH/- Puka pas 25 vitesh mungesë, prek magjinë e ekranit të madh në aktivitetin kinematografik “Netët e kinemasë europiane”, që do të zhvillohet nga 30 tetor deri më 1 nëntor në qendrën kulturore të qytetit.

Rrugëtimi këtij aktiviteti grafik lë pas qytetin e Kuçovës për të vazhduar me qytetin e Pukës. Puka njihet si qyteti alpin dhe mjaft mikpritës. Vitet e fundit ka pësuar një ndryshim rrënjësor. I rrethuar nga malet dhe në anë të tij gjen liqenin e bukur. Shquhet për ajrin e pastër dhe kurorat e pishave që ende janë të paprekura.

Kryetari i bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj, i apasionuar pas artit dhe kulturës e priti me kënaqësi zhvillimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm kinematografik.

Ashtu si në shumë qytete të Shqipërisë ku mungon kinemaja edhe në qytetin e Pukës, ekrani i madh i kinemasë do të jetë një risi pas një mungese të gjatë për më shumë se 25 vite.

Nata e parë, do t’i kushtohet kinemasë shqiptare me projeksionet e fundit për fëmijë dhe të rritur. Paradite do të ketë shfaqje falas për shkollat e qytetit, falas, duke i sjellë gëzim fëmijëve dhe rinisë me ekranin e madh të kinemasë. Do të ketë të ftuar special, si dhe këngëtarë që do të performojnë para ekranit të madh të kinemasë si Eranda Libohova, Miranda Kullani, Kristina Ndoja etj.

Qyteti i Pukës, parajsa e mikpritjes dhe aventurës, për 3 netë rresht do të përjetojë bukurinë e ekranit të madh që do të përcjellë magjinë e kinemasë europiane./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.