Fondet për bujqësinë, sot nisin aplikimet për IPARD

Çuçi takim në Lezhë: I kemi kapacitetet për të përfituar fondet e BE-së
TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, iu bëri thirrje fermerëve dhe sipërmarrësve në fushën e agrobiznesit të aplikojnë për fondet e programit IPARD.
Gjatë një takimi në Lezhë, në kuadër të fushatës informuese të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural për thirrjen e dytë të IPARD, ministri tha se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet dhe aftësitë që të jetë përfitues në një nivel të kënaqshëm e fondeve të Bashkimit Europian për zhvillimin e bujqësisë.
“Pavarësisht se në pamje të parë na duken të vështira, se na kërkohen dokumente voluminoze, prapë po të bëhen me kujdes, unë jam i bindur se brenda thirrjes së dytë ne mund ta dyfishojmë numrin e kontratave të lidhura”, tha ministri Çuçi.
Në vijim të bashkëbisedimit me fermerët e Lezhës, Ministri i Bujqësisë u ndal edhe tek Skema Kombëtare, e cila tha ai, nuk mund të dublojë programin IPARD, prandaj është fokusuar në pikat më vulnerabël të sektorit bujqësor.
“Fokusi që ne kemi vënë sidomos në forcimin e hallkave kyçe të sektorit që lidhet kryesisht me gjetjen e tregut për shitjen e produkteve bujqësore dhe forcimin e agropërpunimit, mendoj se po japin frytet e veta. Jemi ende në fillime, por po të vazhdojmë të përqendrohemi në këtë drejtim, besoj se shumë shpejt do të kemi një sektor me zhvillim të qëndrueshëm”, tha ministri Çuçi.
E pranishme në takim ishte edhe drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca. Ky ishte takimi i fundit informues nëpër qarqe, ndërkohë që sot nisin aplikimet për thirrjen e dytë të programit IPARD. Aplikimet do të jenë të hapura deri më datë 16 dhjetor 2019. IPARD II jep fonde për tre masa; Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore; Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore; Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit.
Duke nisur nga sot deri më 16 dhjetor 2019, fermerë dhe sipërmarrës aplikojnë për të përfituar fonde në programin IPARD, për investime të kryera në sektorin e bujqësisë dhe agroturizmit. e.xh/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.