12.5 milionë euro për furnizimin 24 orë me ujë të Beratit, Demo: Investimi do të sjellë transformim rrënjësor në dobi të qytetarëve

TIRANE, 30 tetor/ATSH/- Në vitin 2020, bashkia Berat dhe UK Berat-Kuçovë do të përfitojnë mbështetjen financiare falë programit Infrastruktura Bashkiake V (MIPV) me fokus kryesor mbulimin 24 orë ujë për qytetin e Beratit.

Investimi synon përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorit dhe rritjen e performancës së shërbimit UK.

Ky investimi i programit MIP V mbështetur nga financimet e huaja të qeverisë gjermane përmes KfW, qeverisë zvicerane përmes SECO dhe Bashkimit Europian synon mbështetjen e qeverisë shqiptare në vizionin e saj për transformimin rrënjësor të sektorit të ujit në Shqipëri për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe nxitur rritjen e ekonomisë e vendit.

Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo, shprehet se ky është një lajm fantastik për Beratin dhe se punimet për këtë investim madhor do të nisin brenda viti 2020.

“Vlera e përfituar falë këtij programi është 12.5 milion euro, ku do të mundësohen: Rehabilitimi i derdhjes së ujërave të zeza do të shmangë njëherë e mirë ndotjen e habitatit ujor, duke bërë të mundur që lumi Osum të kthehet në hapësirën blu kaq të munguar të panoramës së qytetit, siç e meriton.  Ndërhyrja në zonat e banuara, në kodrat e qytetit për ujin e pijshëm dhe përmirësimin e infrastrukturës bazike”, u shpreh Demo. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.