Votat e diasporës/ LVV dorëzon ankesë në Gjykatën Supreme

PRISHTINË, 29 tetor/ATSH/ Ashtu sikurse ishte lajmëruar edhe më herët, Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar këtë të martë në Gjykatën Supreme ankesë ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Përmes kësaj ankese, Lëvizja Vetëvendosje kërkon lejimin e numërimit të të gjitha pakove me fletëvotime nga bashkatdhetarët e diasporës, si dhe hedhjen poshtë të vendimit të PZAP-së.

PZAP vendosi refuzimin si të pabazuar në prova dhe rregulloren e KQZ-së ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e fletëvotimeve të diasporës, me pretendimin se ato kishin ardhur me vonesë.

“Presim që në afat sa më të shpejtë Gjykata Supreme të marrë vendim duke ia mundësuar realizimin e të drejtës për të zgjedhur dhe numërimin e fletëvotimeve të qytetarëve tanë me banim jashtë Kosovës”, tha përfaqësuesja e LVV në KQZ, Nazlie Bala.

Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul se pakot me fletëvotime janë dërguar brenda afateve kohore nga bashkatdhetarët dhe si të tilla ato duhet të numërohen dhe të bëhen pjesë e rezultatit final të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.