Tropojë/ Sezoni i dimrit, 6 qendra shëndetësore furnizohen me medikamente

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësorë Tropojë (NJVKSH) monitoroi sot shpërndarjen e barnave të paketës shtesë për 6 qendra shëndetësore që janë më larg qytetit të Bajram Currit.

Drejtori i NJVQSH, Avni Boshnjaku në një prononcim për ATSH-në deklaroi se “me qëllim përballimin e kërkesave për një shërbim shëndetësor të vazhdueshëm, duke qenë se po afron sezoni i dimrit, dhe shumë qendra shëndetësore dhe ambulanca mund të bllokohen, ne kemi ndërmarrë aksionin për shpërndarjen e barnave për 6 qendra që janë më larg qytetit të Bajram Currit”.

Sipas Boshnjakut, kjo nismë e Ministrisë së Shëndetësisë që po zbatohet prej 6 vitesh ka  përmirësuar ndjeshëm shërbimin për qytetarët.

Nga kjo nismë, theksoi ai, përfitojnë banorët e qendrave shëndetësore të njësive administrative Legbibaj, Bytyç, Margegaj, Tropojë e Vjetër, Bujan dhe Fierzë.

“Synimi është marrja e masave në kohë, që edhe në këto qendra shëndetësore shërbimi shëndetësor të jetë në cilësinë e duhur, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike”, – u shpreh Boshnjaku.

/a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.