Rezoluta, Balla: Mbron demokracinë shqiptare nga çdo lloj ndërhyrje politike e huaj

TIRANË, 29 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg, ndaj ne duhet të përshtatim të gjithë legjislacionin dhe duhet të rrisim mbrojtjen e sistemit tonë demokratik nga ndikimet e huaja elektorale”, – deklaroi sot në një prononcim për mediet, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Balla tha se “kjo rezolutë vjen në vijim të rezolutës të miratuar në PE 3 javë më parë e që ka të bëjë me një çështje shumë thelbësore që lidhet me ndikimin e aktorëve të huaj në zgjedhjet demokratike”.

“PE ka pasur një qëndrim shumë të fortë lidhur me këtë çështje dhe ka identifikuar me emër Rusinë si një ndërhyrëse në disa vende anëtare të BE-së në proceset zgjedhore”, – tha Balla.

Sipas tij, “edhe Shqipëria ka pasur një rast për të cilin ka një hetim në prokurori lidhur me një financim të paligjshëm të një partie politike (PD), për lobing”.

Pjesa e dytë e rezolutës, sipas Ballës, lidhet me një betejë që e bashkëndajnë jo vetëm vendet anëtare të BE-së, çështjen e dezinformimit dhe të lajmeve të rreme.

Balla theksoi se “nisur nga rezoluta e PE-së, PS ka marrë iniciativën për ta përshtatur rezolutën”. “Më së shumti kërkesat dhe rekomandimet që rezoluta u jep të gjithë aktorëve, qeverisë apo institucioneve të tjera janë për qasjen që duhet të kemi ndaj ndikimeve të forcave të huaja në proceset zgjedhore”, – tha Balla.

Po ashtu, ai tha se “duhet të kemi një qasje të re, një paketë të plotë kundër dezinformimit”. Balla kujtoi se në “Kuvend është depozituar nga qeveria shqiptare paketa antishpifje që është një punë e shkëlqyer dhe një hap i rëndësishëm në betejën kundër dezinformimit”.

Ai u bëri thirrje deputetëve që të bashkohen në një qëndrim, duke mbrojtur demokracinë shqiptare nga çdo lloj ndërhyrje politike e huaj, apo çdo lloj forme dezinformimi.

“Kam sjellë në Kuvend një variant të përshtatur me Shqipërinë të rezolutës të PE-së. Ka patur mjaft diskutime në PE dhe ajo është miratuar para 2-3 javësh. Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore ka ngritur një grup për çështjen e financimit. Ne duhet ta ndryshojmë ligjin e financimit të partive politike që të kemi transparencë të plotë si për lobingun jashtë Shqipërisë edhe shpenzimet e tyre në fushatat zgjedhore”, – tha Balla. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.