Reforma Zgjedhore, Bare: Propozimet e PS-së mbështeten te rekomandimet e ndërkombëtarëve

TIRANË, 29 tetor/ATSH-Maela Marini/ Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare deklaroi sot se opozitës jashtëparlamentare prej kohësh i është shtrirë dora e bashkëpunimit për reformën zgjedhore, ndërkohë që theksoi se propozimet e maxhorancës mbështeten tërësisht në rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare.

I ftuar në një studio televizive, Bare tha se “çdo forcë politike duhet të kuptojë se janë disa nga detyrat e Bundestagut, që duhet të zgjidhem bashkë dhe njëra prej tyre është Reforma Zgjedhore.

“Ne nuk kemi hapa konkretë nga PD që të vijë dhe të ulet. I është shtrirë dora PD-së që të vijë dhe të shprehë opinionet e veta se nga distanca nuk ka efekt. Propozimet e PS-së janë të mbështetura në propozimet që kanë bërë institucionet ndërkombëtare. E rëndësishme është që ata të vijnë të diskutojnë aty, por Lulzim Basha nuk do që të bëhen zgjedhje shpejt në Shqipëri se e di që do të humbasë”, tha Bare.

Bare tha se për sa kohë që PD do vazhdojë me këtë lloj lidershipi ajo nuk është e interesuar që në Shqipëri të bëhet reforma zgjedhore dhe të ketë zgjedhje”.

“Lidershipi i sotëm i PD-së nuk e stimulon, nuk e rrit adrenalinën e votuesit të djahthtë. Basha nuk ngjall besim te njerëzit. Në këto rrethana nuk është i interesuar të ketë zgjedhje”, tha Bare.

Lidhur me Reformën Zgjedhore, ai theksoi se “prioritet është të mbarojmë me propozimet e institucioneve ndërkombëtare, dhe mirëpresim edhe ndryshimet e tjera që eventualisht mund të sjellë PS”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.