Prishtinë/ Nis nënshkrimi i peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël

PRISHTINË, 29 tetor/ATSH/ Shkatërrimi i vazhdueshëm i burimet natyrore nga të gjithë ata që abuzojnë dhe shfrytëzojnë burimet e vendit për përfitime individuale, qofshin vendimmarrës apo investitorë, ka shtyrë disa OJQ që të organizojnë një aksion për mbledhjen e nënshkrimeve që të parandalohet ndërtimi i hidrocentraleve.

Me moton ”Uji në gypa, milionat në xhepa”, ka filluar në Prishtinë nënshkrimi i peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve të vogla në Kosovë. Qëllimi i këtij peticioni është të ndalë degradimi i ambientit me ndërtimin e hidrocentraleve.

Diana Metushi Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se qëllimi i këtij peticioni është t’i bëjnë thirrje qeverisë së ardhshme që të ndalë punimet në 20 projektet për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla.

Ajo ka ftuar të gjithë qytetarët që të nënshkruajnë peticionin, i cili sipas saj do t’i dërgohet Qeverisë dhe Kuvendit në mënyrë që kjo çështje të mos mbetët dytësore, por të vihet në qendër të vëmendjes.

Remzi Reka nga organizata për Mjedisin tha se kjo organizatë ka 3 vjet që po lufton dhe organizon protesta për ruajtjen e  mjedisit.

Organizatat partnere të cilat veprojnë në të gjitha komunat e vendit dhe që kanë organizuar këtë peticion thonë se argumentet e mbledhura dëshmojnë se nëse nuk veprohet menjëherë, lumenjtë e Kosovës, si dhe popullata që jeton në afërsi të tyre, do të shkatërrohen dhe degradohen në mënyrë të pakthyeshme.

Sipas tyre, sot po ndërtohen hidrocentrale të vogla në hapësirat e parqeve kombëtare, dhe zonat e mbrojtura me ligj, ku është rreptësisht e ndaluar, pa dokumentacion të kompletuar ligjor dhe pa u konsultuar të gjitha palët e interesit e që shkatërrojnë florën dhe faunën, devijojnë lumenjtë, reduktojnë dhe rrezikojnë furnizimin e popullatës me ujë, e shumë të tjera.

Mbledhja e nënshkrimeve do të zgjasë dy javë dhe do të bëhet në shtatë komunat e mëdha të Kosovës. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.