Policia kontrolle në Doganën e Tiranës, 7 të shoqëruar

TIRANË, 29 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/ Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në Doganën e Tiranës, duke ndaluar shtatë persona dhe kontrolluar më shumë se 107 mjete e 267 persona.

Policia e Shtetit njofton se “vijon zbatimi i planit të masave për kontrollin e të gjitha pikave të kalimit kufitar, porteve e aeroportit, doganave dhe çdo objekti të rëndësisë së veçantë, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale dhe të paligjshmërisë në tërësi, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë publike”.

“Në vijim të kontrollit të zhvilluar ditë më parë në Portin e Durrësit, mesditën e sotme kontrolli është përqendruar në doganën e Tiranës, me qëllim kontrollin e personave që hyjnë dhe dalin në doganë, kontrollin e mjeteve dhe mallrave, si edhe të ambienteve dhe lokaleve përreth doganës”-, bënë të ditur Policia.

“Në operacion u përfshinë 200 forca policie nga FLO, DVP Tiranë dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit. Për kontrollin e territorit krahas punonjësve të Policisë u përdorën drone dhe qen antidrogë. U kontrolluan 67 kamionë, 23 magazina dhe objekte të ndryshme brenda doganës, 107 automjete dhe rreth 267 persona. Gjatë kontrolleve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë, e cila do të dërgohet për ekspertim, disa vula të dyshuara si të falsifikuara e sende të tjera të kundërligjshme. Policia ka shoqëruar për veprime të mëtejshme 7 persona. Policia e Shtetit do vijojë kontrollet në të gjitha objektet e rëndësisë së veçantë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme, si dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike”-, njofton Policia e Shtetit. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.