Lufta ndaj falsifikimit të monedhave/ Hodaj te “Siguria”: Zyrë qendrore për hetimin e veprës penale

TIRANË, 29 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/ Zv-Ministri i Brendshëm, Julian Hodaj theksoi të martën, se projektligji për luftën kundër falsifikimit të monedhës ka si qëllim krijimin e një zyre qendrore për hetimin e kësaj vepre penale.

Në drejtimin e kryetares Ermonela Felaj komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim  projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për Luftën Kundër Falsifikimit të Monedhës”. Për të folur rreth këtij projektligji të ftuar ishin Julian Hodaj zëvendësministër në ministrinë e Brendshme si dhe specialistë të tjerë, të kësaj ministrie.

Hodaj, tha se konventa parashikon një përcaktim të mirë të sjelljeve të ndaluara që nga prodhimi i monedhave të falsifikuara, shpërndarja, hedhja e tyre në treg, përdorimi me qëllim marrjen e përfitimeve . Më tej, Hodaj nënvizoi se, ”pjesa kryesore që parashikohet në konventë është që qendërzohet parandalimi, hetimi i këtyre veprave penale ,që do të thotë krijohet një zyrë qendrore, një kanal komunikimi direkt nga homologët e saj në vendet e tjera, duke siguruar një akses më të shpejtë dhe qarkullim më të shpejtë të informacionit , pra krijimi I një rrjeti ndërkombëtar, me qëllim luftën dhe parandalimin e këtij fenomeni”

Për projektligjin relatoi Luan Duzha, i cili e vuri theksin, te qëllimi dhe objektivat e tij. “Bashkëpunimi i palëve kontraktuese do të bëhet me anë të rregullave të parashikuara në këtë konventë. Kjo konventë është mjeti më efektiv për rrethanat aktuale që siguron parandalimin dhe dënimin e veprës së falsifikimit të monedhës”.

Më tej anëtarët vijuan  me pyetje drejtuar zëvendësministrit dhe më pas komisioni miratoi në tërësi projektligjin në fjalë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.