KLGJ pezullon kthimin në detyrë të gjykatësit Guximtar Boçi

TIRANË, 29 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/ Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur pezullimin e kërkesës për kthimin në detyrë të gjyqtarit Guximtar Boçi, i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Vlorës, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, për faktin se kishte kërkuar favore seksuale për dhënien e një vendimi.

Gjatë punimeve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, të martën, u mor në shqyrtim kërkesa e gjyqtarit Boçi, për kthim në detyrë. Në kërkesë argumentohej se Boçi theksonte se ishte gjetur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Vlorës për akuzat e ngritura ndaj tij, prej të cilave u shkarkua nga detyra në vitin 2016 nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Pas diskutimeve, Këshilli vendosi pezullimin e shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga gjyqtari Guximtar Boçi, për rikthimin e tij në funksionin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe në detyrën e gjyqtarit për shkak se kërkesat janë për shqyrtim para Gjykatës Administrative të Apelit. Ish-gjyqtari Boçi ka drejtuar kërkesa në mënyrë të përsëritur në KLD prej 09.06.2017 e në vazhdim duke kërkuar rikthimin në detyrë, por kërkesa e tij nuk janë marrë në shqyrtim. Kërkesa e parë është drejtuar në datën 9 qershor 2017, ndërsa kërkesa e fundit që i drejtohet organit të ri KLGJ mban datën 20 dhjetor 2018.

Në vijim të mbledhjes, Këshilli vendosi refuzimin e kërkesës së Tunxh Vatnikaj, për kthimin në funksionin e gjyqtarit. Gjithashtu, Këshilli miratoi verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin si gjyqtar të kandidatit Ligoraq Toshi.

KLGJ në punimet e saj kishte pesë pika në rendin e ditës. Pika e parë lidhej me kërkesën e gjyqtarit Boçi për kthim në detyrë. Kërkesa e dytë është projektvendimi për “Mospranimin e kërkesës së Tunxh Vatnikaj për kthim në funksionin e gjyqtarit”. Pika e tretë “Shqyrtimin e kërkesës së gjyqtarit, Osman Aliu, për kthimin në detyrë”. Pika e katërt, lidhet me verifikimin e kritereve dhe kushteve ligjore për rekrutimin si gjyqtarë të kandidatit, Ligoraq Toshi. Dhe pika e fundit të rendit të ditës, caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta  në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato që ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershëm. /j.p/

 

 

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.