Kadastra, Lame: Në 6 muaj janë trajtuar 7 500 ankesa dhe janë marrë 120 masa

TIRANË, 29 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/ Në 6 muajt e parë të punës së Agjencisë Kombëtare të Kadastrës, janë realizuar mbi 30 audite, 120 masa ndaj punonjësve përfshi dhe largime nga detyra, si edhe janë trajtuar rreth 7500 ankesa nga publiku dhe institucionet të tjera për grabitjen e pronës.

Artan Lame, Kreu i Agjencisë Kombëtare të Kadastrës ka dalë sot para mediave, duke nënvizuar se ajo  që ka ndodhur me pronën në këtë çerekshekulli në Shqipëri, e tejkalon atë që ndodhi gjatë gjysmëshekullit të mëparshëm.

“Prej disa muajsh, pas përmbylljes së riorganizimit institucional të saj, Kadastra Shqiptare po merret me sfidën më të vështirë që ka përpara vetes: Shthurjen e rrjetës çerekshekullore të kaosit të pronave, abuzimit me pronat dhe plaçkitjes së pronës. Duhet të jemi të qartë me veten dhe me shqiptarët: Ajo çka ka ndodhur me pronën në këtë çerekshekulli në Shqipëri, e tejkalon atë që ndodhi gjatë gjysmëshekullit të mëparshëm”-, theksoi Lame.

“Diktatura shpronësoi shqiptarët, por prona mbeti po aty, në dorën e shtetit dhe me rrëzimin e sistemit socialist, do të duhej të fillonte procesi i kundërt, ai i kthimit të pronës tek i zoti, ai i ndarjes së drejtë të tokës tek fshatari, ai i privatizimit nga pozita të barabarta e kështu me radhë. Për fat të keq, nuk ndodhi kështu gjithmonë”-, shtoi Kreu i Agjencisë së Kadastrës.

“Ditë pas dite ne kemi grumbulluar dhe vijojmë të evidentojmë raste abuzimi me pronën, qoftë atë publike e qoftë atë private. Ky evidentim nuk bëhet thjesht se s’kemi me ç’merremi apo se duam të çojmë njerëz përpara drejtësisë. Ky evidentim bëhet sepse abuzimi me pronën është shkelje e rendit kushtetues, është bllokimi i jetës ekonomike të vendit”.

“Në këta 6 muaj operim të Kadastrës së re Shqiptare janë kryer 30 audite, kontrolle dhe verifikime nëpër të gjitha drejtoritë vendore. 120 masa ndaj punonjësve përfshi dhe largime nga detyra. Janë trajtuar në këto muaj rreth 7500 ankesa nga publiku dhe institucionet të tjera për grabitjen e pronës. Do mjaftonin këto shifra për të kuptuar sa e thellë është reforma. Harta e abuzimeve me pronat përfshinë gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë por e kuptueshme që më e theksuar në zonat me interes ekonomik-, nënvizoi Lame.

“Në Shëngjin edhe bankina e portit del me pronar dhe pikërisht në këto zona, problematikat e trashëguara të pronave bllokojnë shumicën e investimeve. Do të përmendja këtu zonat bregdetare përgjatë gjithë Jonit dhe Adriatikut, apo zona të tjera me fluks ekonomik si ato përreth qyteteve të mëdha dhe veçanërisht Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit”-, bëri të ditur Lame.

“Kronikat e mediave në gjithë këto vite kanë trajtuar herë pas here problematika të tilla, por përgjatë këtij viti ky fluks është shtuar. Do të veçoja dy arsye për këtë çështje, e para tani Shqipëria kjo është, bregdeti i saj u nda dhe u stërnda dhe konfliktet kanë filluar të ngrenë krye ngado; dhe e dyta, gjatë këtij viti ndjeshmëria dhe reagimi i qeverisë dhe i Agjencisë së re të Kadastrës, duke vënë dorën në plagë është rritur dukshëm”-vijoi ai.

“Përpara disa kohësh, unë paralajmërova se problematika si ato të Vlorës do të bëhen publike edhe në zona të tjera. Do të ndeshen në Sarandë, ku i gjithë bregdeti i qytetit, i gjithë amfiteatri i kodrave të Sarandës është ndarë dhe rindarë e mbi ndarë në më tepër se dy-tri herë, përfshi dhe zona që praktikisht janë në det. I ndeshim në zonën e Butrintit dhe përreth tij, në situatat tragji-komike të Butrintit antik, i cili sot del me pronar.
Do ndeshen përgjatë Rivierës së Jonit, ku së shpejti ne do të fillojmë regjistrimin fillestar dhe nga ku sondazhet na rezultojnë mbivendosje deri në katër pronarë të ndryshëm për të njëjtën tokë”-, tha Lame.

“Problematika të tilla do t’i ndeshim në bregdetin e mrekullueshëm të Spillesë, ku edhe këtu në një pikë që vuri dorën qeveria u zbulua një vjedhje kolosale e tokës shtet, e cila i është referuar organeve ligjore, apo po këtu, i gjithë brezi i pishave përgjatë bregdetit, tani rezulton i ndarë si tokë buke”-, shtoi kreu i Kadastrës.

“Do t’i ndeshim këto problematika në të gjithë Gjirin e Durrësit, ku pikërisht këto ditë organet ligj zbatuese kanë ndërmarrë veprimet e para, nisur edhe nga indicie të bëra nga ana e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Më tej,  do t’i ndeshim këto problematika në Gjirin e Lalzit dhe në bregdetin e Shëngjinit ku edhe bankina e portit ka dalë me pronar. Do t’i ndeshim këto problematika në Bregdetin e Velipojës, ku si tokë buke janë ndarë dhe pjesë e kënetave që prej mijëra vjetësh janë nën ujë”-, tha kreu i Agjencisë së Kadastrës.

“Si deri më sot, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjitha organet dhe agjencitë ligj-zbatuese, për të bërë të mundur që në fund të këtij procesi të kemi një regjistër prone të saktë dhe një institucion të besueshëm ndaj qytetarëve”-, përfundoi Lame. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.