Franca dekoron me “Urdhrin e Palmave Akademike” dy profesorë të Universitetit të Prishtinës

PRISHTINË, 29 tetor/ATSH/ Shteti francez ka dekoruar rektorin e Universitetit të Prishtinës Marjan Dema dhe profesoreshën Valbona Berisha me “Urdhrin e Palmave Akademike”. Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, u ka dhënë vlerësimin e lartë dy profesorëve të UP, për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë gjatë karrierës së tyre profesionale, në përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë.

Në ceremoninë e dhënies së Urdhrit të Palmave Akademike, ambasadorja Butel tha se kjo është ngjarje e madhe, si pjesë e traditës 200-vjeçare franceze për kontributin e dhënë në prezantimin e kulturës franceze në botë.

Ajo tha se ndarja e këtij çmimi është si pjesë e përkushtimit të palodhshëm të rektorit Dema dhe profesoreshës Berisha në zhvillimin e UP-së dhe promovimin e Frankofonisë në shtetin e Kosovës dhe mësimit të gjuhës frënge.

“Ju kini ditur si në cilësinë e profesorit, gjithashtu edhe në cilësinë e rektorit si mik i gjuhës frënge për të sjellë bashkërisht impulsin që i jep një vendi sot gjuhës dhe kulturës frënge në Universitetin e Prishtinës. Falë përpjekjeve dhe vendosmërisë suaj, në vitin 2017 Universiteti iu bashkua agjencisë universitare, si një anëtar i asociuar. Kjo dinamikë nuk është e kufizuar në Prishtinë, pasi edhe universitetet e tjera në Kosovë janë frymëzuar nga shembulli juaj për t’u integruar në këtë organizatë… Duke pasur parasysh karrierën tuaj shembullore dhe veprimin tuaj të vendosur për të promovuar Frankofoninë, […] unë ju dekoroj Kalorës, oficer i Urdhrit të Palmave akademike”, – tha ambasadorja Butel.

Rektori Dema tha se ndihej i nderuar me çmimin e marrë, ndërsa ka falënderuar në emër të UP-së shtetin francez për ndihmën e dhënë për Kosovën në të kaluarën.

“Në pamjen time vëreni gëzimin dhe kam shumë arsye pse gëzohem, dhe kam arsye, sepse nuk kam ëndërruar se do të dekorohem nga presidenti i një shtetit që gjithmonë e kam vlerësuar, e kam vlerësuar jo pse është një shtet, një popull i madh numerikisht, por pse ka dhënë shumë vlera për sport, shkencë, teknologji, kulturë, e shumë fusha tjera”, – tha rektori Dema.

Valbona Berisha, udhëheqëse e departamentit të Gjuhës Frënge pranë UP-së dhe koordinatore e Qendrës Universitare Frankofone, tha se ndihej e lumtur me marrjen e çmimit prestigjioz Urdhri i Palmave Akademike për kontributin e dhënë për përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë.

“Kjo medalje është rezultat i bashkëpunimit të mirë me institucionet franceze dhe frankofone që punojnë këtu në Kosovë. Të marrësh një çmim të tillë ka vlera të mëdha për mua, nga njëra anë, sepse është krijuar nga një njeri i madh, Napoleoni, dhe nga ana tjetër se ky çmim më jepet nga vendi im i birësimit, pra Franca”, – tha Berisha.

Urdhri i Palmave Akademike është krijuar më 17 mars 1808 nga Napoleon Bonaparti për të nderuar rrugëtimet e burrave dhe grave që janë dalluar në universitetet franceze. Por që nga Lufta e Parë Botërore Urdhri i Palmave Akademike mund t’u akordohen edhe të huajve e francezëve që jetojnë jashtë vendit dhe që kontribuojnë në prezantimin e kulturës franceze në botë./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.